
Siljanovska uron Fitër Bajramin: Me gjithë zemër ju uroj që festat t’i kaloni në harmoni!
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit.
Siljanovska-Davkova ka dërguar një mesazh urimi edhe për kreun e Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, hfz. Shaqir ef. Fetahu.
Ajo ka uruar që në këtë ditë feste të ketë harmoni dhe mirëqenie të mbushur me gëzim.
“Të gjithë besimtarëve të besimit islam u shpreh urimet e mia më të ngrohta me rastin e festës së madhe myslimane, Fitër Bajramit. Me gjithë zemër ju uroj që festat t’i kaloni në harmoni dhe mirëqenie, të mbushura me gëzim dhe lumturi, duke ndarë dashurinë dhe vëmendjen me të dashurit”.
“Këtë vit në muajin e shenjtë të Ramazanit, në muajin e agjërimit, lutjes dhe faljes, na ndodhi një tragjedi e paharruar që na tronditi si komunitet dhe si individë. Mendimet tona janë me familjet e viktimave dhe të lënduarve. Pavarësisht fesë, etnisë apo përkatësisë, ne të gjithë solidarizojmë së bashku”, ka thënë ajo.