Silva: Ishte më e vështirë të luaja në Francë, sesa në Angli
Bernardo Silva ka thënë se e ka pasur më të vështirë në Ligue 1 sesa në Premierligë.
Portugezi i ishte bashkuar Monacos, fillimisht në huazim nga Benfica, përpara se ta bënte lëvizjen e përhershme në 2015.
Gjatë kohës së tij me “Les Monegasques”, ai kishte bërë 147 paraqitje, duke shënuar 24 gola dhe duke regjistruar 15 asistime, dhe veçanërisht pati fituar titullin e kampionit.
Derisa Liga e Kampionëve ende i mungon Silvas, produkti i akademisë së Benficas është bërë një prej futbollistëve kryesorë te Manchester City që nga transferimi i tij prej 50 milionë eurosh në vitin 2017.
Duke folur për nivelin e Ligue 1 dhe Premierligë, 28-vjeçari ka thënë se e kishte më të vështirë të luante në Francë, sesa në Angli.
“Mendoj se ishte më e vështirë të luash në Francë sesa në Angli, për shkak se ishte më shumë fizike. Ndoshta kjo është për shkak se ne kemi topin në Manchester City. Ishte e vështirë për mua në fillim. Më duhej të mësohesha me të”, ka thënë ai për “France Football”.