Silva: Ky është futbolli, u kërkoj tifozëve që të na falin
Kapiteni i PSG-së, Thiago Silva nuk gjen fjalë për të përshkruar zhgënjimin e skuadrës franceze pas përmbysjes dramatike nga Manchester United.
“E kam të vështirë që të flas. Është një turp. Luajtëm shumë mirë në Manchester, por nuk i bëmë gjërat që kishim diskutuar përpara ndeshjes. Ishim në një formë shumë të mirë, por përsëri përfundon këtu aventura jonë në Evropë. Ky është futbolli. Asgjë nuk funksionoi në këtë ndeshje. U kërkoj tifozëve që të na falin”, ka thënë qendërmbrojtësi brazilian.
“Por edhe pse jemi të trishtuar, duhet të vazhdojmë përpara, kemi kampionatin. Është një moment trishtimi. Penalltia? Më vjen keq sepse ndodhi në fund të ndeshjes. Nuk i pashë pamjet, por ishte një vendim i dyshimtë. Por tre gjyqtarë vendosën kështu dhe e pranojmë. Duhet ta kishim mbyllur më parë”, ka shtuar Silva.