Silva: Sevilla ma dha besimin, por jam lojtar i Milanit
Njeriu në skuadrën e Sevillas pa dyshim se është sulmuesi Andre Silva. Portugezi është marrë në huazim me të drejtë blerje nga Milani dhe duket se është ambientuar në mënyrë të përkryer në Spanjë.
Janë shtatë, golat e shënuar në kampionat nga talenti portugez, i cili ka folur për “calciomercato”, ku dhe ka diskutuar për momentin e tij dhe për Milanin.
“Të them të drejtën nuk e prisja një fillim të tillë. Ndihem shumë mirë, si në fushë ashtu dhe jashtë saj, dhe për këtë duhet t’i falënderojë shokët e ekipit dhe trajnerin. Unë luaj për Sevillan, por jam një lojtar i Milanit, të paktën deri në qershor. Nuk kam ndonjë përgjigje për ta shpjeguar formën time në sezonin e parë në Itali, por di që këtë sezon jam në formë dhe po ndihem shumë mirë. Gjëja kryesore është besimi. Në qoftë se ke besim, ti mund të bësh gjithçka. E dija që Sevilla është një klub i madh dhe kishte shumë besim tek unë”, ka pohuar Silva.