Simbas gjasës dhe domosdosë
Ose: Kur e njeh personazhin
Pyesin ndonjëherë se përse më qëllon të parashikoj veprimet e njerëzve. Në të vërtetë kjo ndodh në rastin e njerëzve që i njoh – relativisht – mirë. Dhe them se vjen nga dimensioni i shkrimtarit që mund të të ketë mbetur i strukur, i fshehur, në mekanizmin e arsyetimit, d.m.th. kur e trajton tjetrin si personazh. E kanë provuar këtë, me siguri, edhe ata që lexojnë shumë letërsi.
Në auditor kjo u shpjegohet studentëve, sadokudo kalimthi, kur përmendet dallimi mes së veçantës dhe të përgjithshmes nga traktati i Aristotelit “Mbi Poetikën”, jo nga tjetri traktat “Mbi Politikën”.
Në kreun IX të traktatit të tij Aristoteli tregon dallimin mes të proceduarit të historianit dhe të shkrimtarit. Historiani punon për të rindërtuar dhe treguar atë çfarë tanimë ka ndodhur, është kryer, ka përfunduar, ndërsa shkrimtari, që e njeh mirë personazhin, ka aftësinë të thotë se çfarë mund të ndodhë “simbas gjasës dhe domosdosë”: kjo është fomula e famshme aristotelike.
Prandaj për Aristotelin letërsia (poezia!) nga pikëpamja filozofike është diçka “më fisnike” se historia. Nëse historia merret me të veçantën, letërsia merret me të përgjithshmen. E veçanta, simbas tij, është se ç’bëri Alcibiadi ose ç’i bënë Alcibiadit, ndërsa e përgjithshmja është kur dihet se çfarë do të bënte Alcibiadi në këto ose në ato rrethana.