
Simeone: Barcelona pati fat, nuk mund t’iu kërkoj më shumë lojtarëve të mi
Atletico Madrid pësoi humbje nga Barcelona (2-4), por trajneri Diego Simeone ishte i kënaqur me përkushtimin dhe punën e lojtarëve të tij. Ai theksoi se skuadra e tij “reagoi mirë dhe konkurroi ashtu siç e kishim imagjinuar”, por pranoi se katalanasit patën atë dozën e fatit që duhet në rastin e devijimit të Lamine Yamal.
“Barcelona është një skuadër e madhe. Tani duhet të vazhdojmë të punojmë. Nuk mund t’iu kërkoj më shumë lojtarëve të mi, sepse kanë dhënë gjithçka”. Ai gjithashtu beson se ekipi i tij vazhdon të jetë në garë: “Skuadra po konkurron, kemi nevojë për fitore. Kemi një mundësi për të arritur në finalen e Kupës dhe do të luftojmë deri në fund për kampionatin. Dy kryesuesit ende duhet të luajnë mes tyre”.
Trajneri i Atletico Madridit kërkoi që skuadra e tij të ruajë fokusin edhe për kualifikimin në Champions League: “Duhet të shohim edhe pas nesh, që të mos na kapin rivalët. E rëndësishme është të jemi në Champions. Tani fokusohemi te ndeshja kundër Espanyolit, të pushojmë dhe të pranojmë situatën në të cilën ndodhemi”.