Simiqi: Ka edhe biseda të tjera mes të Kusari-Lilës dhe Radoiçiqit
Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Slavko Simiq në një përgjigje për “Dukagjinin” ka deklaruar se ka edhe biseda te tjera në mes të shefes se grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila dhe kryekriminelit Milan Radojçiq.
Kjo përgjigje ka ardhur nga Smiqi pas publikimit të fundit të bisedës së Kusarit dhe Radojçiqit, gjë të cilën kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar si “situatë të montuar”.
“Siç edhe kam deklaruar, ka edhe shumë biseda të tjera që kanë ndodhur”, ka thënë Simiqi.
Lidhur me përgjimet, kryeministri Kurti të martën para gazetarëve tha se “ajo është një situatë e montuar dhe Radoiçiq këtë muaj i bënë 9 muaj që ndodhet i lirë në Serbi dhe trysnia do të duhej të ishte që të ketë aktakuzë ndaj tij”.
Ai është pyetur nëse do të merren masa ndaj Kusari-Lilës.
“Po e kuptoj që po përpiqeni të dramatizoni me çdo kusht disa sekonda prej një bisede që nuk e di si është marr e ku është marr, si u pre e nga kush u organizua. Por edhe një herë unë jam kryetar i LV-së dhe Mimoza Kusari nuk është anëtare e LV-së. Edhe po të ishte anëtare e LV-së për këso gjerash ka komisione, nuk e ka LV-ja kryetarin diktator që merr vendime siç do të kishte dëshiruar ndokush”, u shpreh Kurti.
Lidhur me përfshirjen e Kusarit në përgjimet, ka pasur reagime të ashpra edhe nga partitë opozitare.