Simitçiu: Do të bëjmë çmos për ta kaluar grupin

08 dhjetor 2021 | 13:36

Përfaqësuesja e Kosovës në futsall ka mësuar kundërshtarët me të cilët do të përballet në paraeliminatoret e Kupës së Botës 2024.

“Dardanët” e futsallit të drejtuar nga Arben Simitçiu në short janë tërhequr në Grupin C dhe do të kenë punë me Armeninë, Bullgarinë dhe Skocinë.

Ndeshjet e këtij rrethi do të zhvillohen në muajin prill në Bullgari. Sipas rregullores tutje kalojnë dy skuadrat e para të çdo grupi. Lidhur me shortin, përzgjedhësi Simitçiu për faqen zyrtare të FFK-së ka thënë se shorti nuk ka qenë i lehtë, por se do të bëhet çmos për ta kaluar këtë fazë të garave.

“Grupi është i vështirë por realisht çdo grup është i fortë, sepse sot futsalli në të gjitha shtetet e Evropës është ngritur në kualitet dhe ekipet janë shumë të mira. Për mendimin tim Armenia është ekipi më i fortë në grup, pasi ka 3-4 brazilianë të natyralizuar në ekip. Po ashtu edhe Bullgaria është ekip i mirë që do të pretendojë ta kalojë grupin, duke e shfrytëzuar edhe faktorin e terrenit vendës, teksa duhet vlerësuar edhe kualiteti i Skocisë. Sidoqoftë, plani ynë është i qartë, bashkë me ‘Dardanët’ e Kombëtares do të bëjmë çmos për ta kaluar grupin dhe të kualifikohemi në ‘Main Round’”, ka thënë Simitçiu.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha, sot ka bërë homazhe te…