Simmons: Shumë shpejt do të raportoj në Parlamentin e Kosovës për parregullësitë në EULEX
Ish-gjyqtari i EULEX-it, Malcolm Simmons, ka thënë se shumë shpejt do të raportojë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës për parregullsitë në funksionimin e Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë.
“Shpresoj shumë shpejt të jap një deklaratë në Parlamentin e Kosovës. Kur ta bëj, do t’ju ofroj një përkthim të deklaratës time me shkrim. Mendoj se do t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve”, tha Simmons, për Albanian Post.
Ndërkaq, përfaqësuesi i Simmons, avokati Artan Çerkini, theksoi se “qëllimi kryesor është zbardhja e së vërtetës”.
“Nuk synohet që përmes këtij hetimi dikush të ndiqet në aspekt penal apo aspekt civil sepse ne të gjithë e dimë që pjesëtarët e misionit të EULEX kanë pasur imunitet”.
“Mirëpo qëllimi i këtij hetimi parlamentar është që të hetohet nëse gjyqtarët e EULEX-it në disa prej rasteve mjaftë të ndjeshme i kanë zbatuar parimet e gjykimit të drejtë dhe të paanshëm, parime këto të sanksionuara me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe me Kushtetutën për Republikën e Kosovës”, potencoi Qerkini.
Simmons kishte kërkuar të flasë para deputetëve për çka Komisioni për Legjislacion kishte caktuar 18 janarin e këtij viti si datë për të dëgjuar deklaratat e tij.
Megjithatë, një gjë e tillë nuk ndodhi për shkak të shpërndarjes së Kuvendit.