Simmonsi sot raporton para deputetëve për skandalet e EULEX-it

12 korrik 2021 | 08:21

Ish-kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, sot (e hënë) do të raportojë para Komisionit Parlamentar për Legjislacion për pretendimet e tij ndaj këtij misioni. Ndonëse është mirëpritur ky raportim, njohësit e çështjeve të drejtësisë në vend kanë shprehur skepticizëm se pretendimet e Simmonsit për korrupsion dhe ndikime politike në EULEX do të mund të hetohen. Drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, ka bërë me dije për gazetën se Kosova nuk mund të formojë ndonjë komision hetimor ndaj EULEX-it

Muhamet KOCI

Ish-kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, do të raportojë sot (e hënë) në orën 10:00 në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit rreth pretendimeve të tij për korrupsion në këtë mision.

Njohësit e çështjeve të drejtësisë në Kosovë e kanë mirëpritur një gjë të tillë, ndonëse kanë thënë se ky raportim do të jetë vetëm informues.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka bërë me dije se për pretendimet e Simmonsit Kosova nuk mund të formojë ndonjë komision hetimor. “Dyshoj që Kosova do të duhej të formonte komision hetimor për këtë rast, pasi kemi të bëjmë për një çështje shumë delikate. Kemi të bëjmë një ish-gjyqtar të EULEX-it, kemi të bëjmë me një marrëveshje në mes të Kosovës edhe Bashkimit Evropian për misionin e EULEX-it, andaj çdo raportim i Simmonsit mund ta konsiderojmë të mirë, pasi Kosova mund të marrë praktikat e mira apo të këqija të misionit të EULEX-it dhe gjatë kohës kur kemi të bëjmë me plotësim-ndryshimin e ligjeve për gjyqësorin, në njëfarë mënyrë të mos përsëritim gabime të tilla. Sidoqoftë, një hetim parlamentar nga ana e Kuvendit të Kosovës do të kishte pasoja në kuptim të raporteve Kosovë – BE”, ka thënë Miftaraj për gazetën “Epoka e re”. Sipas tij, Kosova është e pafuqishme të ndërmarrë ndonjë masë ndaj zyrtarëve të EULEX-it. “Më shumë është me pas informata për punën e EULEX-it në Kosovë, por qoftë në aspektin penal apo civil, e administrativ, thjesht Kosova është e pafuqishme dhe s’mund të marrë asnjë masë ndaj zyrtarëve të BE-së. Vlerë e shtuar është t’i marrim praktikat e mira, mirëpo në aspektin e zbulimit diçka të re nuk do të ndodhë, pasi raporti i auditimit i BE-së i paraqet të gjitha”, ka thënë Miftaraj.

Ai ka treguar se imuniteti i zyrtarëve të EULEX-it është i garantuar me marrëveshjen që Kosova ka nënshkruar me BE-në. “Misioni i UNIMIK-ut dhe misioni i EULEX-it në Kosovë kanë pasur imunitet të plotë në kuadër të hetimit të gjykimit. Përjashtimisht, kjo ka mundur të revokohet nëse për një rast të caktuar Kosova fillon hetimet ndaj këtyre personave, por që pastaj imunitetin duhet marrë nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Bruksel. Sidoqoftë, në rastin konkret, nëse flasim për raportimin e Simmonsit dhe ato që i ka thënë deri më tani në publik, mund të themi se këto pretendime janë hetuar nga ana e zyrës së auditimit brenda BE-së dhe kanë dalë me një raport para disa vjetëve ku janë dhënë rekomandimet për misionin e EULEX-it në mënyrë që të mos përsëriten gabimet e njëjta”, ka thënë ai.

 

Pretendimet e Simmonsit

 

Në muajin qershor ish-kryetari i gjyqtarëve të EULEX-it, Malcom Simmons, ka shprehur dilema të mëdha në lidhje me funksionimin e Gjykatës Speciale dhe korrupsionin brenda misionit EULEX. Në një letër dërguar më 3 qershor kryeministrit Albin Kurti, Malcom Simmons ka treguar në detaje pretendimet për keqpërdorime të EULEX-it në raste të ndryshme kundër ish-krerëve të UÇK-së. Në këtë letër ai ka bërë me dije se EULEX-i ka bashkëpunuar me Prokurorinë e Serbisë, duke dërguar edhe dosje kundër Kosovës.

Përveç ndikimeve politike, bashkëpunimit të EULEX-it me prokurorinë në Beograd, ai ka dhënë detaje dhe ka shprehur dilema edhe për punën e Gjykatës Speciale.

Në dëshminë e tij 25-faqëshe drejtuar Kurtit, Simmons ka shkruar se prokurori i parë i specializuar i Gjykatës Speciale në Hagë, David Schwendiman, ishte përjashtuar për shkak se nuk kishte gjetur prova për krerët e UÇK-së. “Pas themelimit të Dhomave të Veçanta të Kosovës, fillova të dëgjoja thashetheme që qarkullonin te menaxhmenti i lartë, se Brukseli nuk ishte i kënaqur me prokurorin e Dhomave të Veçanta, David Schwmendeman, sepse zyra e tij nuk kishte ngritur aktakuza. Insinuata në atë kohë ishte se zyra e prokurorit kishte menduar se provat kundër disa anëtarëve të profilit të lartë të UÇK-së ishin të pamjaftueshme. Isha i informuar se diskutimet vazhdonin në Bruksel me pikëpamjet që z. Schwmendeman të zëvendësohej nga një person tjetër që do të mund t’i besohej”, është thënë në letrën/dëshminë e Simmonsit.

Me kërkesën që të raportojë në Kuvend, Simmons ofroi edhe dëshmi të tjetra. “Para caktimit tim kryetar i gjyqtarëve të EULEX-it, isha në dijeni për diskutimet brenda EULEX-it në lidhje me transferimin e dosjeve tek autoritetet prokuroriale të Serbisë. Unë, gjithashtu, isha në dijeni për bisedimet e vazhdueshme ndërmjet prokurorëve të EULEX-it dhe atyre të Serbisë. Në të vërtetë, prokurorët e EULEX-it udhëtonin në Serbi në shumë raste, për t’i diskutuar lëndët me prokurorët serbë. Kur u bëra kryetar i gjyqtarëve të EULEX-it më 2014, zbulova që me dhjetëra dosje të krimeve të luftës u ishin dorëzuar autoriteteve prokuroriale në Serbi”, ka shkruar Simmonsi.

Deri më tani askush nga Qeveria e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje për letrën e Malcom Simmonsit. Malcolm Simmons, ish-kryetar i gjykatësve në EULEX, pati dhënë dorëheqje nga ky institucion duke akuzuar EULEX-in dhe BE-në për korrupsion.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkrimtari i njohur shqiptar Besnik Mustafaj, veprat e të cilit…