Simona Halep eliminohet nga “US Open”
Turneu i tenisit “US Open” rezervoi një surprizë të bujshme në ditën e parë, me eliminimin e papritur të numrit një të botës në kategorinë e femrave.
Edicioni numër 138 i “Grand Slam”-it amerikan “skartoi” në mënyrë surprizë Simona Halep, dominuesja e renditjes botërore dhe kokë serie këtë muaj.
Thuajse asnjë nuk kishte dyshime se kush do të fitonte mes Simona Halep dhe 33-vjeçares nga Estonia, Kaia Kanepi. Por, mes çudisë së publikut që kishte paguar bileta të shtrenjta, ishte sportistja “outsider” që arriti të fitojë në dy sete, me shifrat 6-2 dhe 6-4.
Halep u detyrua të braktisë “tokën e premtuar” në vetëm 1 orë e 15 minuta lojë. Kjo është hera e parë në historinë e turneve “Open”, që numri një i botës eliminohet që në provën e parë.
Ngushëllimi i vetëm i tenistes rumune është që do të mbetet në podiumin global, sido që të shkojë turneu amerikan. 26-vjeçarja nga Konstanca nuk e ka për herë të parë dështimin që në startin e turneut, pasi në 34 raste ka regjistruar humbje për 12 herë në turin e parë. /Top Channel/