Simona Halep shpallet tenistja vitit
Tenistja rumune Simona Halep është shpallur nga WTA (Women Tennis Association) si “Tenistja më e mirë e vitit 2018”, vit të cilin ajo e mbylli në krye të renditjes botërore.
Këtë vit, Halep arriti të fitojë grand slam e parë në karrierën e saj, atë të Roland Garros, ndërsa në Australian Open u mund në finale. Ajo ndodhet në krye të renditjes botërore prej 40 javësh.
“Jam shumë e kënaqur për këtë triumf, një vlerësim për punën që kam kryer këtë vit. Më vjen keq që nuk munda të luaj në turneun final të WTA Championship, por isha e dëmtuar. E mbyll këtë vit në krye të renditjes botërore, duke arritur të realizoj një tjetër objektiv, ashtu sikurse edhe të fitorja grand slam e parë. Tani jam fokusuar te viti 2019”, ka thënë Halep, raporton “Telesport”.
Një çmim mori edhe Serena Williams, tenistja 36-vjeçare amerikane, që u vlerësua si “Rikthimi i vitit”, ndërsa holandezja Kiki Bertens u vlerësua me çmimin “Tenistja me progresin më të madh”. Tenistja bjelloruse Aryna Sabalenka mori çmimin “Tenistja surprizë e vitit”. Në lojën dyshe, tenistet më të mira femra të vitit 2018 u shpallën Barbora Krejcikova dhe Katerina Siniakova.