Simone Biles e fiton medaljen e bronztë olimpike
03 gusht 2021
| 12:17
Simone Biles e ka fituar medaljen e bronztë në finalen e trarit të ekuilibrit në Lojërat Olimpike në Tokio, në rikthimin e saj në garën olimpike të gjimnastikës.
Triumfi i saj sot është mjaft domethënës për të, pasi para disa ditëve ajo ishte tërhequr nga gara, pikërisht në këtë Olimpiadë.
Gjimnastja amerikane nuk ka garuar që prej finales ekipore javën e kaluar, ku ajo u paraqit në kërcim kali por jo edhe në aparaturat e tjera, duke thënë se donte ta mbronte shëndetin mendor.
24-vjeçarja, katër herë kampione olimpike, vlerësohet si gjimnastja më e mirë amerikane në histori dhe ishte favorite para lojërave. Biles e fitoi medaljen e bronztë në Rio 2016.