Simone de Beauvoir dhe Jean-Paul Sartre: Dashuria ka vetëm një emër
“Vdekja më së fundi n’a ndau. Dhe, vdekja ime nuk do të n’a bashkojë. Kështu qenka: megjithatë ishte bukur që jetët tona u ngjizën së bashku …” (Simone de Beauvoir)
Nga: Luan Rama
Art Shay ishte fotograf dhe miku i amerikanit Nelson Algren, të dashurit të Simone de Beauvoirit. Atëherë ajo jetonte si gjithnjë me shkrimtarin dhe filozofin francez Jean-Paul Sartre, dhe meqë apartamenti ku ishte vendosur në Çikago, pranë të dashurit të saj amerikan, nuk kishte banjo për t’u larë, atëherë Art Shay e kishte çuar të bënte një banjo në shtëpinë e një mikeshës së tij. Ishte viti 1950. “Unë asnjëherë nuk lëvizja pa aparatin tim Leica”, tregonte Shay. “Ajo kishte lënë portën e banjos hapur dhe kur doli andej, mora dy-tri fotografi. Por, ajo e dëgjoi shkrepjen e aparatit dhe më tha me të qeshur: Ah, djaloshi i keq! Ajo ishte 42 vjeçe, ndërsa unë isha 28. Ishte një grua humane dhe koketë … Ajo nuk i ka parë kurrë këto foto, madje as Nelsonit nuk kam guxuar t’ia tregoj. Doja t’i botoja para se të vdes”.
Fotografia nudo e Simones, e marrë me shpinë, është botuar më 2008 në revistën “Nouvel Observateur”. Kjo fotografi u ekspozua në një nga ekspozitat e fundit e të përvitshme “Paris-Photo”. Kemi pasur përshtypjen se Simone de Beauvoir nuk ishte fare sensuale, por fotografia thotë të kundërtën. Po, ajo ishte një grua inteligjente, me mjaft kulturë dhe filozofe, që do të hynte në historinë e letërsisë franceze, si një nga pararendëset e feminizmit të shekullit XX.
Kafeneja “Café de Flore” në Saint-Germain-des-Près është një kafene mitike, çka e kemi parë prej disa vitesh në ekranin francez në filmin “Les amants du Café de Flore” (Të dashuruarit e kafenesë Flore), kushtuar Sartreit e Beauvoirit. Gjatë luftës dhe pas luftës, aty mblidheshin Sartre, Beauvoir, Albert Camus, dhe shumë intelektualë në zë të asaj kohe. Një miqësi e ngushtë u lidh mes Sartreit dhe Camusit, i cili para disa kohësh kishte ardhur nga Algjeria dhe kishte zbarkuar në Paris, ku punonte në shtëpinë botuese “Gallimard”. Camus po bëhej ndërkohë një nga emrat më të dëgjuar në fushën letrare me botimin e veprës së tij “L’Etranger” (I huaji), të cilën Sartre e përshëndeti nxehtësisht me një kritikë të gjatë. “Camus ishte i bukur”, kujtonte për ato vite, Simone de Beauvoir, “ai dinte të vallëzonte dhe t’i joshte gratë”. Në atë kohë Sartre dhe Beauvoir ishin dy figura të mëdha të inteligjencës franceze. Botimi i veprës së tij “Ekzistencializmi është humanizëm”, pas dramave dhe esesë filozofike “Qenia dhe Hiçi”, e kishin kthyer atë në një figurë madhore që i kishte kapërcyer me kohë kufijtë e Francës, edhe pse Partia Komuniste franceze përmes gazetës “L’Humanité” e kritikonte atë se “kishte rënë në prehrin e kapitalizmit”.
Ishin po Sartre dhe Beauvoir që u vunë në krye të intelektualëve kundër luftës së Francës në Algjeri dhe pro pavarësisë së Algjerisë përmes Manifestit të 121-ve. Kur Sartre deklaroi hapur gjatë një procesi se edhe ai do të fshihte dhe mbështeste luftëtarë të ushtrisë së FLN-së të algjerianëve për çlirim, shteti francez deshi ta dënonte, por gjenerali De Gaulle ndërhyri me shprehjen e famshme të tij se “Volteri nuk mund të futet në burg”. Ndërkohë, banda terroriste e OAS-it vërshonte në rrugët e Parisit me thirrjet: “Të vritet Jean Paul Sartre”! Disa bomba shpërthyen në pragun e shtëpisë së tij.
Më vonë, në kohën kur Brezhnjevi pritej në pallatin presidencial nga Giscard d’Estaing, Sartre dhe Beauvoir zhvillonin një takim me disidentë të mbledhur nga Lindja, ku qindra gazetarë të botës i bënin jehonë një takimi të tillë epokal. Pikërisht, në këtë kohë, Sartre hodhi parullën: “Klasa punëtore sovjetike duhet të marrë pushtetin që i kanë vjedhur”. Në një intervistë të tij në revistën “Nouvel Observateur”, duke iu kthyer angazhimit të tij përgjatë një gjysmë shekulli, ai do të bënte “mea-culpa”-n e tij: “Më 1954 dhe gjatë katër viteve unë isha i afërt me komunistët, por idetë e mia nuk ishin të tyret dhe këtë ata e dinin. Padyshim thosha gjëra pozitive për Bashkimin Sovjetik, të cilat nuk i ndjeja. Po, kam gënjyer! E bëja këtë sepse kur ftohesh nga një vend, nuk bën ta shash atë. Për më tepër nuk e dija që pas vdekjes së Stalinit, gulagët do të vazhdonin ende”.
Sigurisht që ngjarjet më tronditëse në jetën e çiftit Sartre-Beauvoir ishin ato të vitit 1968 dhe epoka maoiste, ku ai u kërkonte studentëve në Sorbonë e gjatë manifestimeve në rrugët e Parisit që ata të bashkoheshin dhe t’u bënin luftë “pleqve që i qeverisnin”, duke u bashkuar sa të mundeshin me puntorët. Aq shumë shpresoi Sartre në ndryshimet ideologjike, saqë ata ranë në prehrin e maoizmit, duke shpërndarë në rrugë gazetën “La Cause du Peuple” (Kauza e Popullit), të cilën Sartre drejtonte. Kur në vitin 1964, Sartreit iu dha çmimi Nobel, ai e refuzoi atë, sepse mendoi se kjo mund të shfrytëzohej politikisht kundër tij, meqë deri atëherë çmimi Nobel nuk i ishte afruar asnjë disidenti nga Lindja evropiane dhe asnjë shkrimtari me ide komuniste. Pranimi i këtij çmimi, siç mendonte ai, mund ta hidhte atë në krahun e konservatorëve të djathtë.
Letrat Castorit
Korrespondenca e Sartreit dhe e Beauvoirit përbën sot një nga korrespondencat më të pasura të një çifti letrarësh e intelektualësh, korrespondencë kjo që kap një periudhë pothuaj gjysmë shekullore, nga viti 1926 e gjer në vitin 1980, vit kur zëmra e Sartreit pushoi së rrahuri. Letrat e tyre nuk u përngjajnë letrave të dashurisë të Apollinaireit, Eluardit apo Aragonit. Ato nuk janë erotike, nuk shkruhet për buzë të etura, gjinj, seks, dëshirë. Nuk ka poezi të ndërthurura në to. Kjo korrespondencë i ngjan më tepër një lloj rrëfimi dyplanësh, një tregimi jetësor, ku ngjarje të ndryshme, gëzime dhe dhimbje, ata kërkojnë t’i ndajnë me njëri-tjetrin. Por, mbi të gjitha, në to qëndronte mendimi, filozofia, gjykimi për libra dhe autorë, për qenien dhe hiçin, për Kiekergardin, Kantin, Heideggerin apo Kafkan, për esetë dhe romanet që po shkruanin, për dramat që do të shkruanin, për titujt që mendonin tu vinin veprave të tyre. E megjithatë, edhe Sartre e thoshte fjalën e ëmbël, ashtu siç e ndiente, pa e poetizuar. Në letrat e tij ai e quante shpesh atë ”lulja ime e ëmbël” … I shkruante se “në këtë botë nuk kam njeri tjetër veç teje”, se “ju dua me të gjitha forcat” …
Në fillim, ajo ishte Simone, pastaj Castor, siç do të mbetej dhe pseudonimi i saj. “Ti nuk e di se ç’gëzim më sjellin letrat e tua”, i shkruante ai kur ishte larg saj, në ushtri, para Luftës së Dytë Botërore, “ato m’a transformojnë botën”. “Ti je forca dhe lumturia ime” … ”Kam dëshirë të të shoh dhe të fle në krahët e tua” … Por, në letrat e tyre, më vonë do të shpalosej një jetë komplekse çka e bënte të veçantë këtë çift në peizazhin e mendimit letrar e filozofik të shekullit XX. Aty ishin dhe zemërimet e heshtura, xhelozitë, dhimbjet dhe hapësirat ku më pas rigjenin njëri-tjetrin, pasi ata gjithnjë, pas çdo historie kalimtare apo të fortë e tronditëse, do ta rigjenin njëri-tjetrin. Ishte Simone de Beauvoir që pas vdekjes së Sartreit u kujdes për botimin e letrave të tij. Duke folur për historitë e tyre, veçanërisht marrëdhëniet intime, dashuritë kalimtare të tij, ajo shkruante se: “Sartre kishte një ego ekstreme dhe nuk dinte t’i thoshte jo një personi. Nëse një femër i kërkonte diçka, ai i premtonte dhe hënën. Pastaj vinte tek unë dhe më thoshte: Wanda (ose një tjetër), më tha se…”
Por, Simone e adhuronte këtë njeri. “Unë isha një grua inteligjente”, do të thoshte ajo, “ndërsa Sartre ishte një gjeni. Ai ishte një tip që nuk fliste shumë …”
Kur filloi lufta, Sartre vendosi të mbante një ditar, edhe pse ai nuk i donte ditarët. Shkroi rreth 15 fletore, nga të cilat mbetën vetëm pesë, duke përbërë një vepër më vete letrare, e cila do të quhej “Carnets de drôle de guerre (Fletorete një lufte të çuditshme).
Dashuritë e rastësishme
Dashuritë e rastësishme apo “les amours contigentes”, ishte pakti që kishte lidhur Sartre dhe Simone që në fillimet e dashurisë së tyre. Ky ishte një pakt që rinovohej çdo dy vjet dhe që qëndronte në faktin se pavarësisht nga dashuria e përkushtimi ndaj njëri-tjetrit, ata mund të kishin flirte me të tjerë, por me një kusht: që asnjëherë nuk do ta gënjenin apo mashtronin njëri-tjetrin. Dhe, ky kusht do të mbahej. Ja pse në jetën e tyre, ku ata nuk mund të jetonin pa njëri-tjetrin, u pleksën shumë histori flirtesh e dashurish të vogla, herë dhe të mëdha, dashuri të Simones me Jacques-Laurent Bostin, me shkrimtarin amerikan Nelson Algren dhe Claude Lanzmann (të tjerët si piktori spanjoll Fernando Gerassi, Arthur Koestler apo René Maheu, ishin kalimtarë).Ndërsa, dashuritë e Sartreit, përgjithësisht ishin me mikeshat e Simones, si Olga, Wanda dhe rrallë ndonjëherë, kur ai i njihte vetë, siç ishte rasti i amerikanes Dolores Vanetti (të njohur gjatë udhëtimit të parë të tij në Amerikë), e cila u çmend nga dashuria për Sartrein dhe besonte se do të martohej me të. Por, kjo martesë nuk do të realizohej, pasi pakti do të ishte gjithnjë në fuqi edhe në stuhitë më pasionante e më të mëdha. Ata kishin vendosur t’i thoshin të vërtetën njëri-tjetrit.
Gjatë një udhëtimi në Savoie, kur Simone kishte shkuar bashkë me një mikun dhe nxënësin e Sartreit, më pas ajo do t’i shkruante atij: “Para disa ditësh më ka ndodhur diçka tepër e pëlqyeshme: bëra dashuri me Botsin. Kaluam ditë idilike dhe netë pasionante”.
Pas vdekjes së Sartreit në vitin 1980, tre vjet më vonë, Beauvoir botoi letrat që Sartre i kishte dërguar gjatë gjithë jetës së tyre të përbashkët, të titulluar “Lettres à Castor” (Letra Castorit), siç ishte pseudonimi i Simones gjatë luftës, por ku një pjesë të mirë të letrave ajo nuk i botoi. Për herë të parë lexuesi i gjerë mësoi se ç’kishte ndodhur në të vërtetë në jetën e këtij çifti mitik dhe se deri ku shkonte kompliciteti mes tyre. Ata ia tregonin gjithnjë dashuritë e tyre njëri-tjetrit dhe ajo preferonte t’i dinte historitë e tij, sepse kështu i kontrollonte më mirë ato. Madje, ndodhte, veçanërisht gjatë dy dashurive të tyre amerikane (ajo me shkrimtarin Nelson Algren dhe Sartre me Dolores Vanetti), që ata të rregullonin agjendën me njëri-tjetrin që të mos përplaseshin mes tyre. Algren ishte një dashuri e fortë e Simones dhe ajo u nda me dhimbje me të. Ai ishte “krokodili ëmbël”, siç i shkruante ajo në letrat e saj dhe ajo ishte “bretkosa e tij e çmendur”. Kur vdiq Beauvoir më 1986, katër vjet më vonë u botuan nga shtëpia botuese “Gallimard”, “Letra Sartreit”, dhe lexuesi gjeti çelësin se si rezistoi ky çift nga gjithë këto histori dhe sesi bënte Simone që të ishte gjithnjë primare në dashuritë e Sartreit.
Për herë të parë Sartre kishte shkuar në shtrat me një grua gati dy herë më të madhe se ai në moshë. Atëherë ai ishte 18 vjeçar. Por, gjithnjë ai kishte kompleksin se ishte një djalë i shëmtuar dhe si për të luftuar këtë, ai zgjidhte gjithnjë vajza të bukura, të cilave ua merrte mendjen me kulturën dhe tipin e tij paqësor dhe libertin. Megjithatë, Sartre ishte i pari mashkull me të cilin Simone do të puthej dhe do të shkonte në shtrat. Sartre ishte më tepër shpirtëror sesa fizik.
Në letrat që Simone i shkruante të dashurit të saj, shkrimtarit Algren, duke i folur për Sartrein, ajo i pohonte se “Sartre nuk është i pasionuar pas seksualitetit. Ja pse gradualisht ne e kuptuam se ishte e panevojshme të flinim bashkë në të njëjtin shtrat”. Por, edhe Sartre kishte shkruar për marrëdhëniet e seksualitetin e tij. “Marrëdhëniet seksuale me femrat në një moment të dhënë ishin të detyrueshme, por unë nuk u kushtoja shumë rëndësi. Bëja seks pa ndonjë kënaqësi të madhe. Isha më shumë një masturbues femrash …”
Megjithatë, erdhi një kohë kur ata do të festonin përvjetorin e paktit të tyre, siç ndodhte gjithnjë për ta rinovuar atë pakt. Atë ditë tetori, Sartre i kishte thënë: “Castor, ne nuk kemi më nevojë për këto pakte provizore, sepse askush tjetër nuk mund të na kuptojë ashtu siç ne të dy e kuptojmë njëri-tjetrin”.
“Seksi i dytë”
Më 1946, e shtyrë nga Sartre, “gjeniu i saj”, siç e quante ajo, Beauvoir botoi esenë madhore të jetës së saj, “Seksi i dytë”. Madje siç do të pohonte vetë ajo, ishte bota e Sartreit me lidhjet e tij femërore që e kishte frymëzuar për librin. Në fakt, botimi i esesë së saj ishte paraprirë nga një artikull i gjatë që ajo e kishte botuar në revistën “Kohët Moderne” dhe që trajtonte çështje të seksualitetit femëror, të sensibilitetit vaginal, spazmat e klitorisit, orgazmën mashkullore dhe të fshehta të tjera që lidhen me ekstazën. Aq zhurmë bëri ky artikull, sa puritanëve iu ngritën leshrat përpjetë dhe François Mauriac do të shkruante ndër të tjera në “Le Figaro”: “Me këtë artikull ne konstatojmë kufijtë e poshtërsisë”. Madje, në një bisedë me një nga bashkëpunëtorët e revistës ai kishte thënë: “Mësova gjithçka mbi vaginën e patrones tuaj”.
Eseja filozofike “Seksi i dytë” ishte një nga ato vepra që la gjurmë të mëdha në gjysmën e dytë të shekullit XX. Idetë e saj u përqafuan fuqishëm, veçanërisht pas lëvizjeve të vitit 1968 dhe lëvizjeve feministe të viteve 1970-‘80 që shpërthyen kudo në botë, në Evropë, Amerikë e gjetkë, deri në të ashtuquajturën “revolucioni seksual”. “Gratë në atë kohë duhej të bënin revolucionin e tyre”, pohonte Beauvoir në shtypin e kohës. “Ato duhej të bënin diçka në mënyrë personale, direkte dhe të menjëhershme. Ato nuk mund të prisnin që burrat të ndryshonin shoqërinë për to, pasi kjo s’do të ndodhte kurrë, veçse nëse ato do ta bënin vetë këtë revolucion.”
Në Francë, një ndërgjegje e re feministe kristalizohej nën ndikimin e fuqishëm të Beauvoirit, e cila synonte çlirimin dhe emancipimin e gruas, duke kundërshtuar, siç theksonte ajo në esenë e saj “sovranitetin mashkullor të burrit ndaj gruas”. Ajo ishte si të thuash një “pasionaria” e shekullit të XX. Gra feministe që kishin luftuar për lirinë dhe barazinë e gruas kishte pasur edhe para e pas George Sand, apo e shkrimtares tjetër të famshme franceze, Colette, por tashmë bëhej fjalë për një filozofi dhe program politik. Ishte e vërtetë se iluministë të mëdhenj siç ishte Diderot etj., kishin pohuar fort se “gruaja si dhe burri ishte një qenie e njëllojtë njerëzore”, se “gruaja duhej të ishte e barabartë me burrin”, se “ajo duhej të kishte të njëjtat të drejta politike, si dhe burri”. Por, ajo kërkoi më thellë: ajo kërkoi të shpjegonte se ç’është feminiteti i gruas, se gruaja nuk mund të reduktohej vetëm në funksionin “uterus” apo rigjenerimin e jetës njerëzore, duke tentuar njëkohësisht të zbulonte se ç’kishte ndodhur pas matriarkatit, kur burri kishte marrë pushtetin dhe pse kishte ndodhur kjo.
Sartre dhe Beauvoir, një varr i përbashkët në Montparnasse
Ishte 19 marsi i vitit 1980 kur Beauvoir shkoi në apartamentin e Sartreit në bulevardin “Edgar Quinet”, jo larg apartamentit të saj. Ajo e gjeti atë ulur në shtrat, duke marrë frymë me vështirësi. Si gjithnjë me errësirën në sy, meqë vitet e fundit ai nuk shikonte më, çka e kishte penguar të shkruante vëllimin e katërt të kryeveprës së tij madhore “Flaubert”. Ajo donte të telefononte për të kërkuar një ambulancë, por linja ishte ndërprerë sepse telefoni nuk ishte paguar. Duket çudi, por Sartre ishte pothuaj varfër dhe kjo gjë e mundonte, pasi e dinte që nëse vdiste, do të ishin miqtë e tij që do duhej të paguanin për varrimin dhe varrin e tij. “Ai kishte tmerr që miqtë do të paguanin për varrimin e tij. E kuptoi se do të vdiste”, kujtonte Beauvoir në “Kujtimet” e saj.
Pas një jave në spital, ai donte të dilte dhe i ftoi miqtë për një uiski në apartamentin e tij, por Sartre nuk do të kthehej më nga spitali. Pikërisht një ditë para se të vdiste nga ciroza, atje në dhomën e spitalit, me sytë mbyllur (pasi Sartre në atë kohë ishte pothuaj i verbër), ai mori dorën e saj në të tijën dhe i pëshpëriti: “Të dua shumë Castori im i vogël”! Beauvoir i puthi dorën dhe mbështeti faqen e saj në të tijën. Ai ra të flinte. Të nesërmen kur ajo mori në telefon, infermierja i tha se ai nuk ishte zgjuar që kur kishte ikur ajo, dhe pas pak kishte vdekur.
Atë mbrëmje, miqtë më të afërt të Simones dhe Sartreit, u mblodhën rreth Sartreit të vdekur. Dikush kërkoi të pinin uiski dhe filluan të kujtonin historitë e tij, të qeshnin gjersa një moment; Simone u kërkoi të largoheshin dhe ajo u shtri në shtrat pranë tij e mbylli sytë. Donte të ishte vetëm me të, si në gjithë këtë kohë që kishin jetuar së bashku. Kur infermierja e kishte parë ashtu, kishte dashur ta largonte me forcë, sepse këmbët e Sartreit ishin gangrenizuar dhe mund të infektohej, por ajo nuk pranoi dhe vazhdoi të qëndronte shtrirë me të, e droguar me uiski dhe luminal që të mund të qëndronte në këmbë. Ajo ishte gati të puthte dhe kolerën, veç të ishte me të.
Më së fundi, nata e vonë e gjeti në shtëpinë e tyre në Rue Schloecher.
Të nesërmen varrimi i Sartreit ishte madhështor, ku shumë gazetarë do t’i referoheshin varrimit të shkrimtarit Victor Hugo gati një shekull më parë. Por, ajo nuk mund të qëndronte dot në këmbë. Atë ditë të varrimit e tërhiqnin për krahu dhe e mbanin që të mos rrëzohej. Po, ajo e vuajti shumë ikjen e tij. “Vdekja më së fundi na ndau. Dhe, vdekja ime nuk do të na bashkojë. Kështu qenka: megjithatë ishte bukur që jetët tona ngjizën së bashku”, do të shkruante ajo në rreshtat e fundit të librit të saj “Ceremonia e lamtumirës”.
Gjashtë vjet më vonë, në të njëjtën ditë të 14 prillit, do të vdiste dhe Beauvoir. Ajo vdiq pak hapa nga varrezat ku prehej Sartre. E veshën me robdeshambrin e saj të kuq dhe në kokë i vunë rripin violet që mbante gjithnjë. Në gishtin e saj, miqtë e afërt dalluan unazën e famshme që Nelson Algren i kishte dhënë para se ai të kthehej përfundimisht në Amerikë. Por, Beauvoir e kishte bërë zgjedhjen e saj: dashuria e saj më e madhe quhej Sartre.