Sinani: Askush s’është duke u mërzitur për humbjen e mësimit
Anëtari i kryesisë së NISMAS Socialdemokrate. Resul Sinani, lidhur me bisedimet e fundit mes Qeverisë së Kosovës dhe SBAShK-ut, ka thënë se këto dy subjekte s’duken aq të interesuar për të gjetur një zgjidhje të shpejtë.
“Mënyra se si po shkojnë bisedimet ndërmjet Qeverisë dhe SBASHK-ut, të bën të kuptosh se nuk janë duke u mërzitur fort për humbjen e mësimit nga nxënësit, e as nuk janë shumë të interesuar për të gjetur zgjidhje të shpejt, si Qeveria po ashtu edhe SBASHK-u”, ka shkruar Sinani në profilin e vet në “Facebook”.
Sinani thotë se çdo dite që shkon e bën situatën më të rëndë, prandaj sipas tij, në këtë gjendje të jashtëzakonshme, Kryeministri Haradinaj duhet të ftojë në takim urgjent, së pari partnerët e tij të koalicionit e pastaj edhe drejtuesit e SBASHK-ut dhe ministrat që i prek greva (të arsimit dhe të financave) dhe të mos dalin nga takimi deri sa të gjejnë një zgjidhje, ashtu si në rastin e Hadës.
“Kjo situate po bëhet tragjikomike, prandaj duhet dhënë fund sa më parë. Zgjidhja, konsideroj se është shume afër, veçse të dy palët duhet të tregohen të vullnetshme dhe racionale!”, ka shkruar anëtari i kryesisë së NISMA’s, Resul Sinani.