Sinani në Uashington, falënderon Kosovën dhe Shqipërinë për ndërkombëtarizimin e Luginës

12 qershor 2022 | 13:39

Ish-kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka falënderuar Qeverinë e Kosovës dhe autoritetet e Shqipërisë për mbështetjen që çështja e Luginës së Preshevës të ndërkombëtarizohet.

Sinani, e cila ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka treguar që ka zhvilluar takime të rëndësishme për çështjen e Luginës së Preshevës.

“Si Luginë, si Preshevë, nuk jemi pa miq. Nuk jemi të izoluar. Nuk jemi të pabashkërenduar me kryeqendrat e kombit dhe me adresat e aleatëve të shqiptarëve. Këtë e dëshmoj edhe vizita jonë dhe takimet me nivelet e larta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në funksion të dinamizimit të ndërkombëtarizimit të çështjes së Luginës së Preshevës”, ka shkruar Sinani në llogarinë e vet “Facebook”.

Ajo pos falënderimeve të përgjithshme për Kosovën e Shqipërinë, ka shprehur mirënjohje edhe për kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin si dhe për Faton Bislimin, drejtor ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane.

Ardita Sinani, gjatë kohës sa e mbante pushtetin në Preshevë, kishte deklaruar se çështja e Luginës duhet të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi.

Megjithatë, pushteti i saj nuk zgjati as një vit – pasi më 11 prill të këtij viti ishte shkarkuar përmes një mocioni mosbesimi në Asamblenë Komunale të Preshevës.

E po atë ditë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i kishte pritur në Prishtinë përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, duke iu kërkuar unitet.

Uniteti ka qenë kërkesë e vazhdueshme e Prishtinës dhe Tiranës në mënyrë që problemet e Luginës së Preshevës të zgjidhen.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një aksident i rëndë ka ndodhur në Greqi, ku ka…