Sinani: Të kemi konsensus kombëtar për realizimin e ëndrrës shekullore

18 dhjetor 2018 | 19:55

Anëtari i Nismës Socialdemokrate, Resul Sinani e ka komentuar letrën e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump dërguar presidentit Hashim Thaçi.

Për këtë letër e cila kërkon një marrëveshje historike mes Kosovës dhe Serbisë, Sinani ka kërkuar që të lexohet me vëmendje nga të gjithë shqiptarët.

Sipas tij, duhet arritur një konsensus kombëtar në mënyrë që arrihet marrëveshje e duhur. “Është mirë që të gjithë ta lexojmë me vëmendje këtë letër të presidentit Trump dërguar presidentit Thaçi. Ndërsa, liderët e institucioneve shtetërore dhe të partive politike jo vetëm ta lexojnë, por net të tëra të qëndrojnë pa gjumë duke reflektuar për momentin historik në të cilin ndodhemi si komb. Përveç kosovarëve dhe liderëve kosovarë, këtë letër duhet ta lexojnë me vëmendje të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, ndërsa liderët shqiptarë të institucioneve shtetërore e subjekteve politike kudo në shtetet ku jetojnë e kanë për obligim kombëtar që të punojnë fort për të arritur një KONSENSUS KOMBËTAR në mënyrë që për herë të parë në historinë tonë kombëtare të përbashkohemi për realizimin e ËNDRRËS SHEKULLORE”, ka shkruar Sinani në profilin e vet në “Facebook”.

Ai tutje shkroi se të bashkuar dhe në krah të SHBA-së, Kosova do të jetë gjithmonë fituese. “Historia shkruhet vetëm një here dhe kjo gjeneratë e ka rastin që ta shkruajë atë me shkronja të arta! Të gjithëve na duhet të dalim mbi interesat e ngushta partiake e të politikës ditore dhe të vihemi në shërbim të interesave të vendit dhe të kombit. Është koha që ta shohim realitetin drejt në sy dhe të përballemi me të. Të bashkuar dhe në krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës jemi FITUES!”, ka shkruar tutje Sinani.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjenti i Cristiano Ronaldos, Jorge Mendes, ka zbuluar se portugezi…