Sindikata e Doganës reagon për draftligjin e pagave
Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës ka reaguar ndaj iniciativës për kategorizimin e oficerëve doganorë në staf civil, duke vlerësuar se jo të gjithë të punësuarit mund të kenë detyra dhe përgjegjësi të njëjta dhe unifikim të përshkrimeve të vendit të punës.
Po ashtu është paralajmëruar se nëse situata në raport me Doganën nuk ndryshon, atëherë sindikata do të marrë të gjitha veprimet sindikale konform ligjeve, për ta mbrojtur interesin dhe mirëqenien e organizatës.
Përmes një njoftimi për media, kjo sindikatë ka vlerësuar se kategorizimi i punonjësve të Doganës së Kosovës si shërbyes civil, ndryshimi i statusit të zyrtarëve doganorë, organizimit të Doganës së Kosovës do të ketë efekt të drejtpërdrejtë në rolin dhe misionin kompleks të Doganës në fushën e sigurisë kufitare por edhe në mbledhjen e të hyrave, ku Dogana dhe punonjësit e saj që nga themelimi vlerësohen lartë në përmbushjen e këtij misioni dhe objektivave të shtetit.
“Duke pasur parasysh faktin që klasifikimi i paraqitur për pozitat doganore në aneks nuk përshtatet me statusin, përgjegjësitë, kompleksitetin, rrethanat dhe kushtet në të cilat punojnë zyrtarët doganorë, të cilët janë dëmtuar në paga sipas draft propozimit të fundit nga grupi punues”, është thënë në reagimin e Sindikatës së Pavarur të Doganës së Kosovës.
Kjo sindikatë ka kërkuar nga ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, (sponzorues i këtyre draft ligjeve) dhe nga grupi punues, që të kenë parasysh propozimet e tyre: 1. klasifikimi/rangimi i koeficienteve të ketë pasur parasysh statusin e veçantë të zyrtarëve doganorë, kompleksitetin e punës së tyre, natyrën e punës në Doganë, kërkesat e punës për t’iu përgjigjur nevojave të shërbimit për punë në çdo kohë dhe në çdo kënd të territorit të vendit, 2. Të ruhen dhe avancohet pagat e zyrtarëve doganorë duke u bazuar në statusin, specifikat doganore profesionalizmin, nivelet e organizimit doganor dhe dallimet në paga në mes secilit nivel, 3. Të mos finalizohet pa i pasur parasysh vërejtjet, komentet dhe propozimet dhe pa i integruar ato në të.