Sindikata e Policisë dorëzon në Kuvend peticionin me 10 kërkesa
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione ka pranuar një peticion me dhjetë kërkesa nga Sindikata e Policisë së Kosovës.
Lajmin e ka bërë me dije anëtarja e këtij komisioni, njëherësh deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, e cila ka thënë se Policia e Kosovës meriton përkrahje me vepra, “boll me fjalë”.
“Në Komisionin parlamentar për të Drejta të Njeriut kemi pranuar peticion nga Sindikata e Policisë së Kosovës me 5623 nënshkrime nga pjesëtarë të Policisë të Kosovës. Kërkesat e tyre janë të domosdoshme dhe duhet të aprovohen pa asnjë vonesë”, ka shkruar ajo në “Facebook”.
Musliu-Shoshi tutje ka treguar se kërkesat e sindikatës janë: Ligji i pagave, shtesa e rrezikshmërisë në punë, shtesa për punë të veçantë, klasifikimi në koeficient për stafin civil, shujta mujore, shpërblimi për fundvit për performancë të mirë, tri paga përcjellëse për të pensionuarit, zbritja e përvojës së punës nga 0.5 në 0.25 për 15 vitet e para, sigurimi shëndetësorë dhe jetësor si dhe Ligji për pensionim në Policinë e Kosovës. “Pushteti me votë në Kuvend duhet të dëshmoj përkrahjen”, ka Musliu-Shoshi.
Sindikata e Policisë në shkresën e dorëzuar ka theksuar se duke pasur parasysh kushtet dhe ambientin e punës, Policia e Kosovës është ndër institucionet me rrezikshmërinë më të lartë në shoqëri, si nga aspekti i shëndetit ashtu edhe nga aspekti i rrezikut për jetë.
“Policia e Kosovës gjatë kryerjes së detyrave dhe autorizimeve policore përballet me rreziqe të drejtpërdrejta për jetën dhe shëndetin si dhe situata stresuese gjatë ushtrimit të veprimtarisë policore. Zyrtarët policorë kanë autorizim të përdorimit të mjeteve dhe pajisjeve të rrezikshme gjithashtu për jetën dhe shëndetin, i ekspozohen rrezikut në mënyrë permanente dhe të befasishme. Situata të tilla paraqiten në baza ditore; gjatë përgjigjjes në thirrjet e qytetarëve për ndihmë dhe ofrim të shërbimeve, kontrolli dhe sigurimi i kufirit shtetëror, intervenimi dhe reagimi në rastet e krimeve dhe incidenteve të ndryshme, fatkeqësive natyrore, aksidenteve në trafik, ballafaqimi me trazira dhe prishje të rendit dhe sigurisë publike në përmasa të mëdha, arrestimin dhe transportin e personave me rrezikshmëri, zbatimin e masave të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit, luftimi i krimit, etj”, është thënë në shkresën e Sindikatës së Policisë.
Kjo sindikatë ka njoftuar se deri më tani në kryerje të detyrës kanë humbur jetën 23 zyrtarë policorë, kanë vdekur në detyrë 322 zyrtarë, 4753 raste të lëndimeve të zyrtarëve policorë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe 319 zyrtarë të sëmurë në detyrë. Aktualisht me sëmundje të veçanta shëndetësore janë 528 zyrtarë.
Sipas kësaj shkrese të Sindikatës së Policisë deri më tani 2285 pjesëtarë të policisë kanë dhënë dorëheqje vullnetare.