Sindikata e Policisë, e zhgënjyer me vlerën e koeficientit
Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri bën të ditur se policët nuk e kanë pritur mirë vlerën e koeficientit prej 105 eurosh.
Ai thotë se ka pasur shumë prej atyre që e kanë kontaktuar duke e pyetur “çka po ndodh me neve”.
Në “Këndi i Debatit” në Tëvë 1, Zeqiri theksoi se kanë pritur nga Qeveria që të dalë me një vlerë të koeficientit e cila do ishte e kënaqshme për gjithë sektorin publik.
“Nuk është pritur mirë. Ne jemi të zhgënjyer me këtë vlerë të koeficientit për 105 euro edhe po them që nuk është ky mendim i imi individual, por është mendim i të gjithë atyre që sot gjatë ditës më kanë kontaktuar…kemi pasur edhe mesazhe të tilla që çka po ndodh me neve.
Në realitet kjo çka ka ndodh është neve nuk e kemi pritur, kemi pritë që kjo Qeveri vërtetë do të del me një vlerë të koeficientit që do të kënaqi të gjithë sektorin publik apo do të arrijmë një pajtueshmëri”, deklaroi ai.
Sipas vlerës së përcaktuar të koeficientit, drejtori i Policisë do ta ketë pagën 1522.5 euro, polici 525 euro, polici i ri 472.5 euro dhe kadeti 210 euro. Ky vendim do hyjë në fuqi më 5 shkurt 2023.