Policëve nuk u paguhen shtesat për rrezikshmëri, paralajmërohen veprime sindikale
Sindikata e Policisë së Kosovës ka njoftuar se as këtë muaj nuk janë ekzekutuar shtesat e rrezikshmërisë.
Kjo sindikatë ka paralajmëruar marrjen e masave në rast se policëve nuk u paguhen këto shtesa.
“Sindikata e Policisë së Kosovës shpreson se Qeveria e Republikës së Kosovës do të reflektojë dhe pa humbur kohë do ta realizojë shtesën e rrezikshmërisë si e drejtë elementare dhe e merituar në të kundërtën e mosrealizimit të kësaj kërkese siç po ndodh edhe me kërkesat tjera që ia kemi parashtruar deri më tani qeverisë, ne si sindikatë jemi të detyruar që të ndërmarrim masat sindikale bazuar në ligjin mbi organizimin sindikal dhe ligjin e Policisë së Kosovës për t’i realizuar të drejtat tona në plotësimin e kërkesave tona”, është thënë në reagimin e Sindikatës së Policisë së Kosovës.
Reagimi i plotë:
Duke u bazuar në dy komunikatat e Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të muajit shkurt dhe muajit mars me arsyetimin dhe premtimin se Qeveria e Republikës së Kosovës në pagën muajin maj në mënyrë retroaktive do të ekzekutojë pagesën e rrezikshmërisë për të gjithë zyrtarët policor ku për fat te keq ky premtim nuk u realizua as në këtë muaj.
Sindikata e Policisë së Kosovës ka pranuar dhe vazhdon të pranojë vërejtje dhe ankesa nga të gjitha njësitë në kuadër të Policisë së Kosovës për mosrealizimin e shtesës së rrezikshmërisë edhe në këtë muaj si dhe pagesën retroaktive për muajin shkurt dhe mars si dhe ankesat nga njësitet e stafit civil që punojnë në kuadër të Policisë së Kosovës (PK) që kanë të bëjnë me kategorizimin ku pritshmeritë kanë qenë të mëdha që shtesa e rrezikshmërisë dhe kategorizimi do të dalin me pagën e muajit prill dhe për muajt paraprak.
Andaj kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që shtesat e rrezikshmërisë për të gjithë zyrtarët policorë, dhe kategorizimin e disa profesioneve të stafit civil dhe mbështetës pa asnjë përjashtim, të realizohen me pagën e muajit maj ne fillim të qershorit dhe në asnjë rast të mos ketë shtyrje ne realizimin e së drejtës për të gëzuar të drejtën në shtesën e rrezikshmërisë.
Sindikata e Policisë së Kosovës shpreson se Qeveria e Republikës së Kosovës do të reflektojë dhe pa humbur kohë do ta realizojë shtesën e rrezikshmërisë si e drejtë elementare dhe e merituar në të kundërtën e mosrealizimit të kësaj kërkese siç po ndodh edhe me kërkesat tjera që ia kemi parashtruar deri më tani qeverisë, ne si sindikatë jemi të detyruar që të ndërmarrim masat sindikale bazuar në ligjin mbi organizimin sindikal dhe ligjin e Policisë së Kosovës për t’i realizuar të drejtat tona në plotësimin e kërkesave tona.