Sindikata e Policisë kundërshton vendimin e Qeverisë për pagat: Shuma e propozuar nuk përkon me nevojat reale të punonjësve

29 tetor 2024 | 19:29

Sindikata e Policisë së Kosovës ka dalur kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave.

Përmes një reagimi në Facebook, Sindikata e Policisë ka thënë se “shuma e propozuar për këtë rritje nuk përkon me nevojat reale të punonjësve, duke pasur parasysh inflacionin dhe rritjen e çmimeve, si dhe nivelin e pagave të policisë në shtetet e rajonit tonë”

Postimi i plotë:

Reagim nga Sindikata e Policisë së Kosovës

Sindikata e Policisë së Kosovës (SPK) nuk pajtohet me vlerën e propozuar nga qeveria për rritjen e pagave. SPK përshëndet çdo vendim të Qeverisë për rritjen e pagave në sektorin publik dhe mbështet idenë që kjo rritje të jetë lineare për të gjithë punonjësit. Megjithatë, SPK vlerëson se shuma e propozuar për këtë rritje nuk përkon me nevojat reale të punonjësve, duke pasur parasysh inflacionin dhe rritjen e çmimeve, si dhe nivelin e pagave të policisë në shtetet e rajonit tonë.

Duke u nisur nga këta faktorë, SPK kërkon që rritja e pagave për vitin 2025 të realizohet duke përfshirë një rritje totale prej dy koeficientësh. Konkretisht, sugjerohet që rritja e parë të zbatohet në janar për një koeficient dhe e dyta në qershor për një koeficient shtesë.

Kjo qasje do të siguronte një mbështetje të qëndrueshme ekonomike për punonjësit tanë, duke përputhur pagat me rritjen e kostos së jetesës dhe me standardet e rajonit.

Me respekt,
Sindikata e Policisë së Kosovës

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
MENTOR BEQIRI shpall të pavleshme certifikaten e biznesit me NTB:…