Sindikata e policisë paralajmëron protesta nëse nuk përmbushën kërkesat e tyre
Këshilli Drejtues i Sindikatës të Policisë së Kosovës (PK) ka shqyrtuar situatën e krijuar dhe vazhdimin e pakënaqësive të shumta të pjesëtarëve të policisë lidhur me mospërfshirjen në pakon emergjente që është e përcaktuar me ligj, ku nuk përfshihen pagesa prej 300 eurove, pagesa e orëve shtesë, pagesa e shujtës dhe pagesa e ndërrimit të natës sipas ligjit.
Sipas komunikatës të Sindikatës së Policisë është bërë me dije se bazuar në kushtet e vështira dhe në rrethanat në të cilat është duke punuar policia në këtë situate pandemie, kjo silikatë fillimisht më 21 korrik i është drejtuar me një kërkesë urgjente kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hotit dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu, me të cilin ka realizuar një takim, me qëllim të realizimit të kërkesave sindikale.
“Pasi që Sindikata e PK-së deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje zyrtare dhe veprim konkret drejt realizimit të kërkesave, nga Qeveria dhe Ministria e Punëve të Brendshme, Sindikata e Policisë përmes takimit të fundit të mbajtur më 4 shtator me këshillin drejtues ka marrë vendim që t’i rikujtojmë Qeverisë së Republikës së Kosovës se deri me datë 15.09.2020 t’i përmbushë kërkesat e cekura më lart të cilat janë shumë simbolike në krahasim me faktin se Policia janë duke punuar 12 orë pa pushime, duke tejkaluar të gjitha normat ligjore për punë, përfshirë punën jashtë orarit dhe pamundësinë e shfrytëzimit të pushimeve të plota”.
“Duke marr parasysh kohën në të cilën po kalojmë në rrethana pandemie, Këshilli Drejtues i Sindikatës së Policisë për momentin nuk insiston në këtë afat realizimin e kërkesave jetike siç janë: Sigurimi shëndetësor, Ligji për pensionim, Ligji i pagave etj, por kërkon që ato të realizohen në një kohë dhe rrethana më të përshtatshme nga Qeveria e RKS-së. Këshilli Drejtues i Sindikatës së Policisë i bënë me dije Qeverisë së Kosovës që në rast se, deri me datë 15.09.2020, nuk i përmbush kërkesat simbolike të potencuara në pjesën e parë të kësaj komunikate, atëherë Këshilli Drejtues i Sindikatës së PK-së me datë 16.09.2020 , do të mblidhet në takim për të caktuar datën dhe modalitetin e veprimeve sindikale përfshirë protestën. Sindikata e Policisë së Kosovës beson se qeveria do ta marrë parasysh kërkesën emergjente dhe të njëjtën do ta trajtojë me prioritet drejt realizimit të saj, në mënyrë që të mos ketë nevojë që Këshilli Drejtues i Sindikatës të marrë veprime tjera përfshirë protestën”, është thënë në komunikatën e Policisë së Kosovës.