Sindikata e Policisë së Kosovës pa kryetar që nga muaji Maj
Që nga muaji maj, Sindikata e Policisë së Kosovës ka mbetur pa kryetar, pasi Imer Zeqiri u shkarkua nga kjo pozitë. Nënkryetari i sindikatës nuk ka dhënë informacione se kur planifikohet të organizohet zgjedhja e kryetarit. Derisa monitoruesit e punës së Policisë e vlerësojnë jetike funksionimin e rregullt të kësaj organizate
Fundi i vitit 2023 ishte periudha kur zyrtarët policorë shprehën pakënaqësisë me trajtimin e tyre nga shteti.
Me kërkesa të renditura, akoma të pazgjidhura, ata madje dolën edhe në protesta.
Zërin për ta e ngriste Imer Zeqiri, i cili udhëhoqi sindikatën e Policisë deri në maj të këtij viti, kur u shkarkua nga delegatët e Sindikatës.
Por tash e më shumë se dy muaj kjo sindikatë po funksionon pa kryetar.
Televizioni ka biseduar me nënkryetarin e kësaj organizate, Avdi Hoti por ai nuk ka dhënë detaje se kur planifikohet të zgjidhet kryetari i ri.
Gjithsesi, funksionimi i mirëfilltë i kësaj sindikate po shihet jetike, sidomos për ata që paguajnë anëtarësimin.
“Të gjithë këta anëtarë meritojnë të përfaqësohen denjësisht nga një kryetar i cili duhet të jetë në krye të detyrës si në aspektin profesional ashtu edhe në aspektin moral. E mungesa është e habitshme, e papranueshme për anëtarët e saj në këtë kohë Qeveria e Kosovës nuk është që është miqësore me sindikatat”, ka thënë Valdet Hoxha – Ish-kryeshef i IPK-së.
Ish-koloneli i Policië, Refki Morina thotë se funksionimi i rregullt i sindikatës parashihet edhe me konventa ndërkombëtare.
“Sindikata e Policisë në Republikën të Kosovës është mëse e nevojshme që të funksionoj dhe është në interes të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës pasi që në kuadër të saj janë mbi 8 mijë pjesëtarë dhe një sindikatë e tillë është mëse e domosdoshme dhe është e paraparë edhe me konventat ndërkombëtare dhe vendore”, ka thënë Refki Morina – Ish-kolonel policor.
Ish-kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri ishte suspenduar nën dyshimin se ka kryer veprime të jashtëligjshme brenda hapësirave të Policisë. Ndonëse nuk ka ndonjë vendim të Inspektoratit Policor ose të Gjykatës për këtë rast, shumica e delegatëve të Sindikatës së Policisë vendosën që ai të shkarkohet, vendim të cilin e ka kundërshtuar Zeqiri.