Sindikata e Policisë së Kosovës: Shtesat e propozuara nga qeveria janë të ulëta
Këshilli Drejtues i Sindikatës së Policisë së Kosovës ka mbajtur një takim, pas propozimit të qeverisë Kurti për shtesat e policëve.
Ky organ pas mbledhjes ka dalë me një njoftim publik, ku ka vlerësuar se shtesat e propozuara nga qeveria janë të ulëta.
“Sa i përket propozimit të qeverisë për shtesat e rrezikshmërisë, vlerësojmë se janë të ulëta dhe nuk e arsyetojnë punën dhe rrezikshmërinë në Policinë e Kosovës, prandaj janë të pa pranueshme për secilën kategori, janë diskriminuese për të gjitha njësitë, sepse të gjithë zyrtarët policorë përballen çdo ditë me rrezik dhe kjo e dëshmon me numrin e zyrtarëve policorë që e kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, ka njoftuar sindikata.
Sindikata e policisë ka dalë edhe me dy kërkesa, ku njëra është që shtesa për rrezikshmëri të mos mbetet më e ulët se ajo që është pranuar para hyrjes në fuqi të Ligjit të pagave.
“Shtesa për rrezikshmëri të mos mbetet më e ulët se ajo që është pranuar para hyrjes në fuqi të Ligjit të Pagave, që ka qenë në shtatë nivele duke filluar nga 105 euro dhe më larta 215 euro, ose me përqindje në pagën bazë duke filluar nga 25% deri në 50%”, ka njoftuar sindikata.
Ndërsa kërkesa tjetër është që koeficienti për stafin civil të harmonizohet me vendin e punës dhe profesionet që kryejnë.
“Pakënaqësia te të gjithë pjesëtarët e policisë është e madhe, prandaj kërkojmë që në afat sa më të shkurtë të bëhet realizimi i këtyre kërkesave dhe kërkesave paraprake me qëllim të përmirësimit të kushteve dhe mirëqenies në Policinë e Kosovës”, ka njoftuar Sindikata e Policisë së Kosovës.