Sindikata e Punëtorëve të Aviacionit Civil të Kosovës reagon për ndryshimin e strukturës organizative të agjencisë

20 janar 2021 | 10:34

Shoqata Sindikale e Punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil (SPAAC),  ka reaguar lidhur me mungesën e transparencës gjatë procesit të ndryshimit të rregullimit të brendshëm dhe strukturës organizative të agjencisë, e iniciuar nga drejtori i përgjithshëm i AAC-së.

Sipas SPAAC-it, ka mungesë të transparencës gjatë procesit të ndryshimit të rregullimit të brendshëm.

“SPAAC që nga inicimi i procesit me rastin e krijimit të Grupit Punues për hartimin e Projekt-rregullores për Organizimin e Brendshëm të AAC-së, ka kërkuar vazhdimisht informata dhe transparencë në lidhje me procesin, përmes shkresave dhe takimit të mbajtur me drejtorin e përgjithshëm. Pavarësisht premtimeve të dhëna, drejtori i përgjithshëm i AAC-së ka shpërfillur këto kërkesa. Nga shqetësimet e ngritura nga SPAAC ka qenë fillimisht fakti se në Grupin Punues për hartimin e Projekt-rregullores nuk është përfshirë asnjë anëtar i SPAAC, dhe për më tepër nuk janë përfaqësuar as katër nga pesë departamentet profesionale-teknike të AAC-së. SPAAC ka kërkuar përfshirjen në Grupin Punues duke qenë se shumica e anëtarëve të saj kanë përvojën më të gjerë profesionale dhe menaxheriale por kjo kërkesë nuk është përfillur”, thuhet në reagim.

Po ashtu, thuhet se ndonëse është obligim ligjor por që projekt rregullorja nuk i është përcjell SPAAC për konsultim.

“Përkundër premtimeve, Projekt-rregullorja nuk i është përcjellë SPAAC për konsultim, ndonëse ky është edhe obligim ligjor që buron mes tjerash nga Ligji për Organizmin Sindikal, që obligon menaxhmentin për të zhvilluar dhe promovuar dialogun social. Edhe pse në emër të ‘transparencës’, sipas udhëzimeve të Drejtorit të përgjithshëm Grupi punues ka kërkuar nga drejtorët e departamenteve në një afat shumë të kufizuar të dërgojnë inputet për rregulloren, është imponuar në mënyrë eksplicite ideja e drejtorit të përgjithshëm për organizimin e brendshëm. Në asnjë fazë të procesit nuk ka pasur komunikim apo konfirmim për përfshirjen apo jo të këtyre inputeve. Projekt rregullorja nuk është vënë as në konsultim edhe pse konsultimi publik i akteve normative është obligim ligjor sipas Rregullores (QRK) 05/2016 për Standardet Minimale për Procesin e Konsultimit Publik, nenet 4 dhe 5.2.1.6”, është thënë në reagimi.

Shoqata kërkon që të respektohen standardet ndërkombëtare nga ICAO dhe EASA për nivelin e kërkuar të aftësive dhe kompetencës së stafit profesional.

“Shqetësimi më serioz i ngritur nga SPAAC është respektimi i standardeve ndërkombëtare nga ICAO dhe EASA për nivelin e kërkuar të aftësive dhe kompetencës të stafit profesional, si dhe për organizimin e brendshëm gjatë hartimit të Projekt rregullores në përputhje me kapacitetet teknike dhe nivelin e zhvillimit të industrisë së aviacionit në Kosovë. Këtë shqetësim ka ngritur edhe Autoriteti i Aviacionit Civil. Komisioni Evropian në shkresën drejtuar Ministrit të Infrastrukturës, 14 tetor 2020, përmes së cilës ka kërkuar që standardet dhe rrethanat specifike në aviacion duhet të merren parasysh gjatë ndryshimit të rregullimit të brendshëm në AAC përpos kërkesave të reformës së administratës publike. Kjo, sidomos për ruajtjen e kapaciteteve profesionale në të cilat ka investuar shumë si shteti i Kosovës ashtu edhe Komisioni Evropian dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë”, thuhet tutje në reagim.

SPACC nëpërmjet këtij reagimi ka edhe një thirrje ndaj Bordit Mbikëqyrës të AAC-së, Ministrisë së Infrastrukturës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Financave dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka…