Sindikata e Punëtorëve të RTK-së letër deputetëve: Kërkojmë ta ktheni buxhetin e mediumit publik siç ka qenë para dy vitesh

19 dhjetor 2022 | 09:46

Sindikata e Punëtoreve e RTK-së në një letër drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ka shprehur shqetësim për buxhetin e RTK-së.

Në këtë letër është kërkuar që të kthehet buxheti për RTK-në siç ishte para dy vitesh.

“Si përfaqësues të punëtorëve të RTK-së, ju bëjmë thirrje që ta ktheni buxhetin e mediumit publik në lartësinë siç ka qenë para dy vitesh, jo pse është i mjaftueshëm për RTK-në, por buxhetin që e keni ndarë aktualisht, është kolapsim i televizionit të vetëm publik në vend”.

Komunikata e plotë:

Sindikata e Punëtorëve e RTK-së

Kryesia e SPERTK-së

Letër drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës

Të nderuar deputetë, po ju shkruajmë për të satën herë si Sindikatë e Punëtorëve, në lidhje me kushtet dhe buxhetin tepër të vogël të RTK-së.

Si përfaqësues të punëtorëve të RTK-së, ju bëjmë thirrje që ta ktheni buxhetin e mediumit publik në lartësinë siç ka qenë para dy vitesh, jo pse është i mjaftueshëm për RTK-në, por buxhetin që e keni ndarë aktualisht, është kolapsim i televizionit të vetëm publik në vend.

Tash e 23 vjet, asnjëra legjislaturë nuk bëri zgjidhje të përhershme sa i përket financimit dhe pronës, përveç deklaratave, të cilat kanë mbetur të parealizuara deri më tani.

Sindikata ka një pyetje për të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, a e keni në plan ta mbështesni televizionin publik apo çfarë planesh keni?

Me buxhetin e ndarë aktualisht pamundësohet funksionimi i RTK-së, e lëre më të flasim për investime e emisione të reja. Nuk ka shikueshmëri pa buxhet, s`ka programe e as teknologji të re.

Nuk ka televizion publik që mund të funksionojë pa financa dhe me buxhetin që funksionon RTK-ja.

Sindikata e Punëtorëve e RTK-së ju bën thirrje që ta mbështesni me buxhet RTK-në, sepse është në gjendje të rëndë financiare. Duke e mbështetur me kthimin e buxhetit ashtu si çka qenë para dy vitesh, RTK mund të dalë nga kjo situatë e rëndë financiare. Disa herë ju kemi alarmuar që objektet ku ne punojmë janë të rrezikshme për shëndetin dhe në rrezik për t`u shembur.

Neve si Sindikatë e Punëtorëve nuk na mbesin rrugë të tjera për ta mbrojtur RTK-në dhe punonjësit e saj, përveç përmes rrugëve ligjore si grevat e protestat.

Andaj, ju bëjmë thirrje që ta korrigjoni buxhetin për RTK-në, në mënyrë që ajo ta marrë veten.

Me respekt,

Kryesia e SPERTK-së

Prshtinë, 19.12.2022

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tashmë është mbyllur konkursi për Guvernator të Bankës Qendrore të…