Sindikata e Sektorit Privat: Paga minimale të jetë 500 euro dhe të lejohet tërheqja e mjeteve nga Trusti

15 korrik 2022 | 14:16

Punëtorët e sektorit privat janë duke kërkuar që paga minimale të mos jetë nën 500 euro, kjo për shkak të rritjes së çmimeve në vend, derisa kanë kërkuar edhe ndarjen e mjeteve nga Trusti.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, në një konferencë për medie, ka thënë se duke marrë parasysh krizën ekonomike në vend, nuk ia vlen as të bisedohet për pagë minimale nën 500 euro.

“Sa i përket çështjes së pagës minimale, ju e dini se sindikata e ka pasur një kosto. Kemi thënë që do të jetë 460 euro, por megjithatë tani e tutje mendojmë që paga nën 500 euro as që ja vlen të bisedohet”, ka thënë ai.

Po ashtu, Azemi ka thënë se lejimi i tërheqjes së mjeteve nga Trusti për sektorin privat është imediate.

“Qëndrojmë në kërkesën tonë që ndarja e mjeteve të Trustit për punëtorët e sektorit privat të Kosovës është imediate, parësore pasi me këto paga dhe me këto mjete të cilat ne i përfitojmë nuk po mundem t’ia dalim dhe jemi në një krizë jashtëzakonisht të madhe”, ka thënë Azemi.

Duke folur për gjendjen e rëndë të sektorit privat, Azemi ka thënë se ka punëtorë që marrin vetëm 130 euro në muaj.

Ai ka kërkuar nga Ministria e Financave që të hap edhe njëherë aplikimin për shtesën në vlerë prej 100 euro për ata që sipas tij nuk kanë mundur të aplikojnë më parë.

Më tutje, Azemi ka vlerësuar ndihmën që Administrata Tatimore e Kosovës po u jep në evidentimin e shkeljeve të punëdhënësve të sektorit privat.

Azemi ka njoftuar se si sindikatë çdo muaj do të mbajnë konferencë për medie për punën që e bëjnë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi Romelu Lukaku ka thënë se largimi nga Interi ishte…