Sindikata e ‘Trepçës’ kërkon nga minatorët ta ngritin zërin për kushte më të mira
Para disa ditësh, 13 minatorë janë lënduar si pasojë e rrjedhjes së acidit sulfurik në Minierën e Stan-Tërgut. Me këtë rast, Sindikata e Pavarur e Minatorëve të “Trepçës”, ka kërkuar të hënën nga minatorët ta ngritin zërin për kushte më të mira.
Kjo sindikatë ka theksuar se minatorët nuk janë vetëm simbol nderi, por edhe i kujtesës dhe sakrificës. “Lëndimet në trupat tanë dhe plagët që mbajmë, nuk janë thjesht simbole nderi, ato janë kujtues të sakrificave që bëjmë në emër të përpjekjes për përparim. Duhet kujtuar se lëndimi i çdo minatori nuk është vetëm një luftë personale, është një shqetësim kolektiv që kërkon vëmendjen tonë. Sindikata ka thënë se këto lëndime kanë ndodhur pikërisht dhjetë ditë pas grevës së tyre dhe se kjo dëshmon që kjo grevë simbol i përpjekjes për ndryshime pozitive në shoqërinë tonë dhe se kërkesat e minatorëve kanë qenë të drejta”, është thënë në reagimin e kësaj sindikate.
Sipas kësaj sindikate, minatorët e “Trepçës” nuk janë duke u vlerësuar mjaftueshëm nga institucionet shtetërore.
“Pavarësisht sfidave me të cilat përballemi, le të mos e harrojmë krenarinë që vjen nga të qenit minatorë. Puna jonë është thelbësore dhe qëndrueshmëria jonë është e pakrahasueshme. Është përmes vendosmërisë sonë kolektive që ne mund të kapërcejmë vështirësitë që na rrethojnë. Le të jetë kjo një thirrje për ditë më të mira në vazhdim”, është thënë në reagimin e Sindikatës së Pavarur e Minatorëve të “Trepçës”.