Sindikata e ‘Trepçës’ paralajmëron protesta para Zyrës së BE-së në Prishtinë
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka pritur sot në takim kryetarin e Sindikatës së Pavarur të “Trepçës”, Shyqyri Sadiku.
Në këtë takim është diskutuar rreth deklarimit të zëdhënëses së BE-së, Maja Kocijançiq, e cila ka thënë se çështja e “Trepçës” duhet të zgjidhet nëpërmjet marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, edhe përkundër faktit që Kuvendi i Republikës së Kosovës para pak ditësh ka votuar Statutin e ri për “Trepçën”.
Bahtiri e Sadiku, e kanë kundërshtuar fuqishëm deklaratën e zëdhënëses së BE-së, duke thënë se tema mbi “Trepçën” nuk guxon të jetë asnjëherë pjesë e diskutimeve në Bruksel, sepse sipas tyre “Trepça” është e minatorëve, dhe përbën një pasuri kombëtare. Ata kanë thënë se diskutimi për “Trepçën” cenon direkt sovranitetin e Republikës së Kosovës.
Të dy palët kanë qenë të pajtimit që zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq, të tërheq qëndrimet e saj për çështjen e Trepçës përmes një deklarate, përndryshe Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës shumë shpejt do të organizojnë protesta para zyrave të BE-së në Prishtinë.
/Epoka e re/