Sindikata e UP-së: Do ta vazhdojmë grevën deri në realizimin e kërkesave tona
Sindikata e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka mbajtur një takim informues me anëtarët e saj, të cilët janë në grevë që nga 14 janari i këtij viti.
“Sindikata e Universitetit të Prishtinës, si pjesë e organizimit sindikal të SBASHK-ut, ka ftuar Kryesinë e SBASHK-ut për ta informuar anëtarësinë tonë dhe të tyre për takimet e kryesisë së SBASHK-ut me nivelet vendimmarrëse lidhur me realizimin e kërkesave tona. Në takim nuk kanë marrë pjesë përfaqësuesit e SBASHK-ut, pa dhënë asnjë sqarim”, është thënë në njoftimin e Sindikatës së Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Kjo sindikatë u ka bërë thirrje të gjithë mekanizmave vendimmarrës që t’i marrin me seriozitet shqetësimet e dy kategorive të të punësuarve në Universitetin e Prishtinës, stafit akademik dhe administrativ, lidhur me Ligjin e pagave i cili pritet të dalë në Kuvend për votim më 31 janar, si dhe për rritje të koeficientit për 30 për qind.
“Gjithashtu, iu bëjmë thirrje të gjitha institucioneve, duke filluar nga menaxhmenti i lartë i UP-së, Ministria e Administratës Publike dhe Komisioni Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, që para se ky ligj të kalojë në Kuvend për miratim, të qartësohet pozicioni i zyrtarëve të Administratës së Universitetit të Prishtinës, në kategorizimin e koeficienteve brenda këtij ligji. Ne si Sindikatë e Universitetit të Prishtinës do ta vazhdojmë grevën deri në realizimin e kërkesave tona”, është thënë në këtë njoftim.
/Epoka e re/