Sindikata kërkon që edhe punëtorët e KEDS-it të përfshihen në pakon emergjente
Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINIS), Rozeta Hajdari, të martën, i ka takuar përfaqësuesit e Sindikatës së punëtorëve të KEDS-it, ku kanë bashkëbiseduar për gjendjen aktuale të punëtorëve dhe shërbimet që i bëjnë në këto kushte të emergjencës shëndetësore, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
“Sindikalistet e njoftuan ministren Hajdari për gjendjen dhe kushtet në të cilat punojnë punëtorët e kësaj kompanie në situatën e krijuar për shkak të pandemisë. Po ashtu, sindikalistët bënë të ditur se punëtorët e KEDS-it po bëjnë punë të pandërprerë për të siguruar furnizimin me energji elektrike për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Ata kanë kërkuar që edhe punëtorët e KEDS-it të përfshihen në pakon emergjente “Sindikalistët gjithashtu kërkuan nga ministrja që edhe punëtorët e KEDS-it të përfshihen në pakon emergjente të Qeverisë së Kosovës, që të shpërblehen për punën e palodhshme që po e bëjnë”, thuhet në komunikatë.
Hajdari u premtoi atyre se së shpejti do t’i vizitojë dhe do t’i marrë parasysh kërkesat e tyre.