Sindikata kundër zvogëlimit të pagave në Telekomin e Kosovës
Kryetari i Federatës Sindikale të PTK-së, Lamih Balaj, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeshefit të Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, i cili ka thënë se gjendja financiare në këtë ndërmarrje nuk është aspak e mirë dhe se ata nuk kanë kapacitete të mjaftueshme t’i mbulojnë shpenzimet për mirëmbajtje të sistemit, gjendje kjo e cila sipas tij detyron PTK-në t’i ulë pagat e punëtorëve përkohësisht.
Balaj për gazetën “Express” ka thënë se deklaratat e Istrefit janë të papranueshme.
“Deklarata të tilla janë të papranueshme dhe tendecioze në kohën kur Telefomi se ka fituar betejën përfundimisht dhe me deklarata të tilla po hapen beteja që nuk ish dashtë”, ka deklaruar Lahaj.
Sipas Lahaj stabiliteti financiar i PTK-së sigurohet me kthimin e numrave të “Z-Mobile” në “Vala”.
“Stabilitetin financiar e krijojnë kthimi i numrave të ZMobile menjëherë në Vala dhe shkëputja e kontratave tjera. Me mjete të punëtorëve nuk mund të krijohet stabilitet financiar por me strategji menaxheriale”, ka thënë Lahaj.
Sipas kryetarit të Federatës Sindikale, ata janë të gatshëm të ballafaqohen kundër këtij vendimi të kryeshefit ekzekutiv.
“Nëse dikujt i konvenon hapja e fronteve të reja me punëtorë që të shpërqendrohet vëmendja e gjërave tjera të këqija në Telekom, ne jemi të gatshëm të ballafaqohemi sepse nuk ua kemi frikën betejave të mëdha e aq më pak deklaratave të ngutshme dhe të pamatura”, është shprehur Lahaj.
Sipas Lahajt, edhe ish-kryeministri Haradinaj është zotuar se nuk do të ketë ulje të pagave.
“Nëse mendojnë që stabiliteti krijohet me qindra kontrata të dëmshme brenda, me ulje pagash ky kapitull ka përfunduar dhe vet ish-Kryeministri i Kosovës është zotuar se s’ka ulje të pagave”, ka thënë Lahaj.
Sipas tij, strategjia e daljes nga kriza është ndalja e çdo kontrate të dëmshme.