Sindikata nuk pajtohet me uljen e pagave në Telekom, s’përjashton protestat
Për uljen e pagave të punëtorëve në Telekomin e Kosovës, nuk po pajtohet Sindikata e Pavarur Telekomit të Kosovës, derisa ende nuk kanë ndonjë qëndrim për formën e veprimit sindikal për ta kundërshtuar vendimin e Bordit të përkohshëm të kësaj kompanie publike.
Kryetari i kësaj sindikate, Lamih Balaj duke thënë se gjendja në Telekom është e rëndë ku të hyrat kanë rënë në mënyrë drastike, theksoi për “KP” se pa e pranuar një vendim nga Bordi, nuk do të marrin asnjë veprim sindikal, pasi sipas tij dje kanë pranuar vetëm një e-mail zyrtar prej ushtrueses së detyrës të kryeshefit ekzekutiv të Telekomit.
Balaj po beson se do të arrin një mirëkuptim me bordin dhe nuk do të ketë nevojë për protesta dhe greva.
“Kemi kërkuar gjithmonë me i shterë mundësit e diskutimit, para se me ardhë deri te grevat ose protestat. Ne kemi thënë shumë herë që në Telekom janë një pjesë e pagave të mëdha, kemi kërkuar vazhdimisht ristrukturim ku do ta mbështesim në vazhdimësi që në këtë ristrukturim të ketë edhe ulje të pagave. Nuk them që pajtohemi, por nuk e kam marrë akoma vendimin dhe nuk e di çka ka në vendim. Pasi ta marrë vendimin do të dalë edhe me një komunikatë pas takimit me kryetarin e bordit”, ka thënë Balaj.
Megjithatë kreu i kësaj sindikate nuk ka përjashtuar edhe mundësinë mbajtjes së protestave për ta kundërshtuar vendimin që mund t’i dëmtojë punëtorët e Telekomit në të ardhura.