Sindikata Punëtorëve të RTK-së: Qeveria na hoqi 2.2 milionë euro, do të kolapsojmë
Sindikata e Punëtorëve e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) ka bërë me dije se ka marrë informacione se Qeveria e Kosovës, në projektbuxhetin që e ka dërguar në Kuvend për vitin 2022, i ka hequr RTK-së 2.2 milionë euro.
“Në këtë situatë, RTK do të kolapsojë, sepse edhe ashtu RTK ka pasur buxhet të vogël”, është thënë në reagimin e SPERTK-së.
Reagimi i plotë:
Sindikata e Punëtorëve e RTK-së ka marrë informacione se Qeveria e Kosovës, në projektbuxhetin që e ka dërguar në Kuvend për vitin 2022, i ka hequr RTK-së 2.2 milionë euro. Në këtë situatë, RTK do të kolapsojë, sepse edhe ashtu RTK ka pasur buxhet të vogël.
Citim nga projektbuxheti për vitin 2022 pjesa për RTK-në: 12. “Për periudhën janar-dhjetor të vitit 2022, Radiotelevizionit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë RTK), i ndahen tetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë mijë euro (8,960,0000 €), në kategorinë e shpenzimeve “Subvencione dhe Transfere”. Para secilit tremujor, RTK-ja do të dorëzojë në Komisionin për Buxhet dhe Transfere në Kuvend, programin e shpenzimeve të planifikuara. Në fund të çdo tremujori, RTK-ja do të dorëzojë në Kuvend raportin për shpenzimet e bëra. Mjetet sipas këtij paragrafi alokohen dhe transferohen nga Thesari në llogarinë të përcaktuar nga RTK-ja në bankë komerciale, sipas vendimit të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere”.
Sindikata u bën thirrje drejtuesve të Komisionit për Buxhet dhe Transfere, që gjatë dëgjimit publik dhe shqyrtimit të projektbuxhetit për vitin 2022 ta korrigjojnë pjesën për RTK-në dhe të kthehet buxheti në lartësinë e caktuar sipas ligjit aktual të RTK-së.
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës, shkurtimi i buxhetit të RTK-së është bllokim i punës së transmetuesit të vetëm publik në vend, duke pasur parasysh se këto ditë janë ngritur edhe çmimet e të gjitha produkteve. Në shumë vende po ndodh ngritja e pagave, ndërsa neve si RTK, po na shkurtohet buxheti dhe po rrezikohet funksionimi. Po ashtu rrezikohet edhe mirëqenia e kolegëve tanë dhe familjeve të tyre, andaj kërkojmë nga ju që ta ndryshoni propozimin e Qeverisë dhe ta ktheni buxhetin e RTK-së ashtu si ka qenë vitet e kaluara.
Të nderuar, Sindikata do të organizojë takime me përfaqësuesit e Komisionit dhe deputetë, por nëse kërkesat tona nuk kanë efekt, ne do t’i përdorim rrugët ligjore e sindikale.
Me respekt,
Kryesia e SPERTK-së
Prishtinë, 3.11.2021