Sindikatat kërkojnë takim urgjentë me Haradinajn e Konjufcën, shkak buxheti i vitit 2020
Kryetarët e tri sindikatave në Kosovë, arsimit, shëndetësisë e policisë kanë mbajtur sot një takim pas të cilit kanë kërkuar takime urgjente me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinaj, dhe Avokatin e Popullit, Hilmi Jashari.
Sipas një komunikate të lëshuar, SBAShK-u, FSShK-ja dhe SPK-ja kanë kërkuar dërgimin e Projektligjit për buxhetin 2020 në Kuvendin e Kosovës, me qëllim të shmangies së trazirave sociale.
Komunikata e plotë e tri sindikatave:
Në takimin e përbashkët ne mes Sindikatës së Bashkuar te Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Federatës Sindikale te Shëndetësisë (FSShK) dhe Sindikatës se Policisë (SPK) duke parë rrethanat aktuale në të cilat ndodhemi, paraqesim brengen tonë për përkeqësimin e mirëqenies sociale të anëtarësisë tonë dhe në kuadër të saj njoftojmë opinionin e gjerë së kërkojmë takim urgjent me kryeparlamentarin Glauk Konjufca, kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinaj dhe Avokatin e Popullit, Hilmi Jashari.
Të tri sindikatat nga kryeministri në detyrë kërkojnë që ta dërgojë në Parlamentin e Kosovës Projektligjin për buxhet për vitin 2020 me qëllim të shmangies së trazirave sociale. Ndërsa nga kryeparlamentari kërkojmë që të ndërmarrë hapa ligjor parlamentar për aprovimin e buxhetit me kohë. Avokatit të Popullit i drejtohemi me kërkesën e thjeshtë që të procedojë kërkesat e sindikatave të punëtorëve të sistemit publik, në lidhje me revokimin e vendimit për masën e përkohshme për pezullimin e Ligjit të pagave. E gjithë kjo bëhet në përpjekje të ruajtjes së qetësisë sociale në Republikën e Kosovës.