‘Sindikatave po u cenohet përfaqësimi në bordin e Trustit’
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se sindikatave të Kosovës po u cenohet përfaqësimi në bordin e Fondit të Kursimeve Pensionale (FKPK), i njohur si Trust.
Sipas një reagimi për medie të IKD-së, përfshirja e sindikatave në bordin e Trustit është obligim ligjor që duhet të zbatohet pa asnjë vonesë.
“Përfaqësimi i tillë kontribuon në një strukturë qeverisëse gjithëpërfshirëse, efektive, shumë të nevojshme dhe të domosdoshme. Punëtorët duhet të përfaqësohen në mënyrë adekuate në procesin e vendimmarrjes tek përfitimet pensionale (mbrojtjen dhe rritjen e tyre), si dhe ata duhet të kenë mundësinë e ngritjes së shqetësimeve për çdo ndryshim të propozuar në planin e pensioneve”, është thënë në reagimin e IKD-së.
Këtë reagim, IKD-ja e ka bërë rreth përzgjedhjes së anëtarëve të bordit të Fondit Pensional të Kosovës, për çfarë ka thënë se kriteret për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit janë të qarta dhe nuk lënë asnjë bazë për stërzgjatje të procesit.
“Prandaj, IKD-ja, kërkon nga bartësit e institucioneve përgjegjëse, që të shpallin konkursin për këtë pozitë dhe për pozitat e tjera të lira në bordin e FKPK-së. IKD vlerëson se mos shpallja e konkursit për këtë pozitë deri tash, reflekton në rezistencën dhe tentativën e guvernatorit të BQK-së, ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve dhe auditores së Përgjithshme, që sindikatat të mos kenë përfaqësim të duhur në këtë organ. Përgjegjësia lidhur me pasojat negative që punëtorët mund të kenë në gjendjen e kursimeve të tyre, respektivisht në reputacionin dhe besueshmërinë e institucionit, si brenda ashtu edhe jashtë, mbetet mbi këta akterë të këtyre institucioneve”, është thënë në reagimin e IKD-së.