Sinjale pozitive për liberalizim të vizave
Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, nga ShBA ka vazhduar vizitën edhe në Gjermani. Ajo në Berlin është takuar me zyrtarë të lartë gjermanë, ku ka biseduar për procesin e dialogut dhe liberalizimit të vizave për Kosovën.
Duke falënderuar shtetin gjerman për përkrahjen e dhënë Kosovës, Haradinaj-Stublla është shprehur optimiste se procesi i liberalizimit të vizave do të përmbyllet nën mandatin e Gjermanisë si kryesese e Presidencës së Këshillit Evropian.
Ky është statusi i saj i plotë:
Sot në Ambasadën e Kosovës në Berlin, pata takim thelbësor me z. Matthias Lüttenberg – Shef i Departamentit për Evropën Juglindore në Zyrën e Kancelares Gjermane dhe znj. Christiane Hullmann – Shefe e Divizionit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë.
Lidershipi i Gjermanisë si aleatja më e madhe e Kosovës në Evropë, veçanërisht tani kur kryeson Presidencën e Këshillit Evropian, është qenësor në përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën. Fitova bindjen se ka sinjale pozitive në drejtim të një epilogu të suksesshëm të këtij procesi.
Diskutuam edhe për dialogun Kosovë – Serbi, ku theksova se arritja e një marrëveshjeje përfundimtare për njohje reciproke në kufijtë ekzistues, është qëndrim unik i Republikës së Kosovës. Rrëshqitja në dialog me tema teknike, dhe pa kornizë kohore, është kundërproduktive, dhe besojmë fuqishëm që Gjermania do të luaj rolin e saj vendimtar njësoj sikur në kohën kur rrëzoi idetë e rrezikshme të lëvizjes së kufijve në Ballkan.