Sipas Exit Poll-it: Të majtët e “Frontit Popullor” të parët, partia e Macron e dyta, Le Pen e fundit
Një koalicion i gjerë majtist është duke prirë në një garë të ngushtë në zgjedhjet parlamentare në Francë të dielën, para partisë së presidentit Emmanuel Macron dhe partisë të së djathtës ekstreme, sipas parashikimeve të para.
Kjo nënkupton se asnjë parti nuk do ta fitojë shumicën në Parlament.
Sipas “exit poll”-it IFOP të transmetuesit TF1, Fronti i Ri Popullor, majtist, mund t’i fitojë 180-215 ulëse në Parlament në rundin e dytë, që është e pamjaftueshme për ta siguruar shumicën.
Që të gjithë transmetuesit e mëdhenj kanë parashikuar fitore për aleancën majtiste dhe jo për Tubimin Kombëtar të Marine Le Penit dhe Jordan Bardellas.
Tubimi Kombëtar, i udhëhequr nga Marine Le Pen, shënoi arritje historike në rundin e parë të zgjedhjeve fundjavën e kaluar, dhe pritej që ajo ta fitonte edhe rundin e dytë më 7 korrik, duke i rritur gjasat që Franca ta kishte një qeveri të udhëhequr nga e djathta ekstreme për herë të parë prej Luftës së Dytë Botërore.
Lideri francez i qendrës së majtë, Raphael Glucksmann, tha të dielën se Franca duhet të gjejë paqe, pasi Fronti i Ri Popullor fitoi më së shumti ulëse në rundin e dytë të zgjedhjeve parlamentare.
Kultura politike duhet të ndryshojë patjetër, Glucksmann theksoi, duke shtuar se një Parlamenti ku asnjëra parti nuk e ka shumicën dërrmuese, kërkon dialog dhe të jesh i hapur. /Radio Evropa e Lirë