
Sipas KE-së, Kosova s’mund t’i marrë milionat e parë nga Plani i Rritjes pa u konstituuar Kuvendi
Kosova dhe Komisioni Evropian janë duke finalizuar hapat proceduralë përmes të cilëve do të bëhet ekzekutimi i 7% të shumës totale të paraparë për Kosovën nga Plani i Rritjes për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, sipas kërkesës së Kosovës.
Nëse Kosova arrin që në Kuvend ta ratifikojë këtë, pagesat e para të rregullta do të bëheshin ndërmjet tremujorit të dytë dhe të tretë të vitit 2025, ka thënë një zëdhënës i Komisionit Evropian për Gazetën Express. “Kosova ka bërë kërkesën për lëshimin e parapagimit deri në 7% të shumës totale të parashikuar nën këtë aranzhman [nga shuma fillestare treguese e financimit në dispozicion për secilin përfitues].
Komisioni dhe Kosova tani po përfundojnë hapat procedurale, të cilat duhet të lejojnë që lëshimi i parapagimit të realizohet sa më shpejt të jetë e mundur në vitin 2025, në pritje të procesit të ratifikimit nga Kosova. Pagesat e para të rregullta priten të realizohen ndërmjet tremujorëve të dytë dhe të tretë të vitit 2025, pas përmbushjes së kushteve të lidhura me reformat”, ka thënë Komisioni.
KE thotë se Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor ofron një udhërrëfyes për të sjellë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor më afër Bashkimit Evropian.
Plani i rritjes është 6 miliardë euro investime dhe parimi është edhe investime edhe reforma.
Ai gjithashtu siguron një qasje graduale në ‘tregun e vetëm’, duke u lejuar qytetarëve në Ballkanin Perëndimor të marrin disa përfitime të hershme nga integrimi në BE.
Zëdhënësi i KE-së për Gazetën Express tregoi edhe ku gjendet Kosova në këtë proces. “Për sa i përket procesit – deri më sot, ne kemi pesë agjenda ambicioze reformash në fuqi – duke përfshirë Kosovën, dhe në këmbim, këto reforma mbështeten nga investime. Lidhur me Kosovën, ajo i dorëzoi Komisionit në korrik Agjendën e saj të Reformës, duke mbuluar si reformat në fushën themelore ashtu edhe reformat socio-ekonomike. Komisioni ka vlerësuar Agjendën e Reformës dhe ka arritur në përfundimin se ajo është në përputhje me objektivat dhe kërkesat e Facility (Reforma dhe Rritja). Agjenda e Reformës u miratua më 23 tetor 2024 përmes një Vendimi Zbatues të Komisionit, pas një opinioni pozitiv nga shtetet anëtare”.
Cilat janë kushtet e pagesave?
Risia kryesore e Mjetit të Reformës dhe Rritjes (RGF) është se mbështetja financiare e BE-së do të varet nga zbatimi i suksesshëm i reformave.
Në Agjendën e Reformës, reformat ndahen në hapa sasiorë dhe cilësorë, të cilët do të shërbejnë si kushte pagese dhe çdo hap ka një afat kohor zbatimi.
Fondet përkatëse në kuadër të aranzhmanit do të lirohen dy herë në vit, në bazë të një kërkese të paraqitur nga përfituesit dhe verifikuesit, nga Komisioni, të tre grupeve të kushteve të vendosura: parakushtet, kushtet e përgjithshme dhe kushtet e pagesës. (për parafinancimin: kërkohen vetëm parakushtet dhe kushtet e pagesës).
Parakushtet përfshijnë kushtëzimin standard që duhet të përmbushet në çdo kohë, përkatësisht që përfituesit të vazhdojnë të mbështesin dhe respektojnë mekanizmat efektivë demokratikë, duke përfshirë një sistem parlamentar shumëpartiak, zgjedhje të lira dhe të ndershme, media pluraliste, një gjyqësor të pavarur dhe sundim të ligjit, dhe të garantojnë respektimin e të gjitha detyrimeve të të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtat e personave që u përkasin minoriteteve.
Për Serbinë dhe Kosovën ekziston gjithashtu një parakusht specifik, domethënë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në normalizimin e marrëdhënieve të tyre, me progres të matshëm dhe rezultate të prekshme, me synimin për të zbatuar plotësisht të gjitha detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga marrëveshja e vitit 2023 për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksi i Zbatimit të saj, si dhe të gjitha negociatat e kaluara të dialogut për marrëveshjet e normalizimit dhe të angazhohen në Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse të Normalizimit.
Kushtet e përgjithshme përfshijnë stabilitetin makro-financiar, menaxhimin e shëndoshë të financave publike, transparencën dhe mbikëqyrjen e buxhetit. [Janë të njëjta si për mbështetjen buxhetore].
Kushtet e pagesës janë specifike për çdo përfitues dhe përcaktohen në çdo agjendë reforme.
Deri tash Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë vendet e para nga Ballkani Perëndimor ndaj të cilave janë bërë pagesat e parafinancimit.
Komisionerja e KE-së për Zgjerim, Marta Kos, dje një postim në “X” e uroi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për “vendosjen e ritmit në Ballkanin Perëndimor për të marrë parafinancim sipas Planit të Rritjes”.