Sipas këshilltarit Berisha, kjo është gjendja shëndetësore e Hotit
Visar Berisha, këshilltar i kryeministrit Avdullah Hoti, ka njoftuar se, pas konfirmimit se shefi i ekzekutivit është infektuar me Covid-19, një pjesë e madhe e kabinetit qeveritar është duke qëndruar në vetizolim. Në “Edicionin Special” në “Klan Kosova” ai ka treguar se gjendja shëndetësore e Hotit është e mirë dhe se ai është duke i kryer punët nga shtëpia.“Unë kam qenë në kontakt me Hotin dhe kemi punuar së bashku. Për shkak se ai ka dalë pozitiv me Covid-19, një pjesë e kabinetit jemi izoluar dhe disa jemi në pritje të rezultateve. Kryeministri gjatë mesditës kishte shfaqur një kollë të lehtë. Është caktuar një termin për testim rreth orës 15:30. Ai është paraqitur dhe menjëherë është vetizoluar. Pastaj ai ka bërë publik lajmin se ka rezultuar pozitiv dhe prej atëherë është në vetizolim. Hoti nuk e ka caktuar as orën dhe as ditën se kur do të testohet. Nga instituti është caktuar ora dhe dita”, ka treguar Berisha, i cili ka thënë se reagimi i deputetes Mimoza Kusari-Lila, ku ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Avdullah Hoti, ka qenë për keqardhje.
“Kusari ka pasur një reagim për keqardhje. Nuk ishte e pritshme dhe nuk ishte e drejtë. Mos të harrojmë se Kusari-Lila në vitin 2017 ishte pjesë e koalicionit me LDK-në. Sot u pa që ai postim ishte më tepër personal. Isa Mustafa ka të drejtë të reagojë. Ju e dini se ai ka pasur një përballje personale me virusin. Ai e di më së miri se si përballesh me këto situata. Edhe ai ka marrë goditje të shumta nga oponentë politikë. Në 3-4 javët e fundit Hoti ka zhvilluar shumë takime virtuale, qoftë me personalitete vendore apo të huaja. Edhe gjatë takimeve të mbyllura ai e ka mbajtur maskën dhe e ka respektuar distancën. Hoti është përpjekur që sa i përket atij, t’i respektojë të gjitha masat. Hoti ka paralajmëruar se do të punojë nga shtëpia. Shëndeti i tij është shumë i mirë. Ai është me kapacitet të plotë të punës së tij përmes platformave online. Nuk ka asnjë kufizim në punën e tij. Të gjithë ne po punojmë nëpër shtëpitë tona”, ka treguar këshilltari Berisha.