Sipas PDK-së, këto janë 100 dështimet e qeverisë së udhëhequr nga Kurti
Partia Demokratike e Kosovës nëpërmjet një paraqitje në sheshin kryesor të Prishtinës (“Skënderbeu”) ka përmbledhur listën prej 100 dështimeve në 100-ditëshin e punës së qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.
Deputetja e PDK-së, Floretë Zejnullahu, ka thënë se dështimet e kësaj qeverie janë të mëdha dhe renditen që nga prishja e marrëdhënieve me ShBA-në, rrëzimi i qeverisë nga vetë partnerët e koalicionit në fillim të pandemisë, mbyllja me Shqipërinë dhe hapja e nënshtrimi ndaj Serbisë e deri te një sërë deklaratash të koordinuara kundër UÇK-së.
Gjithashtu, në listën e dështimeve PDK-ja ka përmendur edhe letrat që Kurti ka dërguar për zv/presidentin amerikan Mike Pence dhe deputetët e Parlamentit Evropian, duke thënë se në ato letra Kurti ka shpifur kundër kundërshtarëve politikë.
Aktivistët e PDK-së kanë paraqitur edhe një pankartë të madhe me 100 dështimet e qeverisë Kurti.
100 dështimet e Kurtit sipas PDK-së:
QEVERIA KURTI
100 dështime për 100 ditë
- Rrëzimi i qeverisë e “ashtuquajtur e shpresës” në fillimin e shpërthimit të pandemisë covid-19
- Lejimi i qindra zyrtarëve serb që të hyjnë e veprojnë në Kosovë duke cënuar rëndë rendin kushtetues dhe sovranitetin e shtetit
- Vendimi anti-kushtetues i Qeverisë për kufizimin e lirisë së lëvizjes në datën 13 që u rrëzua nga Gjykata Kushtetutese
- Vendimi anti-kushtetues i ministrit në detyrë Arben Vitia që u rrëzua mandej nga Gjykata Kushtetuese
- Akuza ndaj SHBA-ve se ndërhyri në rrëzimin e Qeverisë së Kosovës
- Bllokimi i fondeve të MC dhe sanksionet e tjera të ardhura nga SHBA-të
- Deklarata e Shkëlzen Gashit, këshilltar i Kryeministrit Kurti, duke e quajtur Dick Martyn si mikun e madh të shqiptarëve, legjitimoj dhe konstatoi qëndrimet e Beogradit dhe të Moskës për gjoja krimet e UÇK-së, si dhe modistancimi i Kryeministrit prej këtyre deklaratave ishte skandali i radhës
- Tragjedia e Agon Musliut që erdhi si pasojë e neglizhencës së institucioneve shtetërore duke kthyer qendrwn e studentwve nw “geto”
- Papërgjegjshmëria e ministres Rozeta Hajdari duke thënë se Qeveria nuk ka përgjegjësi për ekonominë, se “nuk e ka sjellë ajo koroanvirusin”
- Implikimi i Lëvizjes Vetëvendosje me organizatën terroriste Syri i Popullit dhe mos-distancimi prej saj edhe pas dënimit prej gjykatës Gënjeshtra që i ka bërë Ambasadorit Grenell për premtimin e heqjes së taksës
- Mashtrimi për gjoja marrëveshjen sekrete me Serbinë që u demantua nga Shtëpia e Bardhë
- Tallja me Shtëpinë e Bardhë –e kuqe, e verdhë
- Ofendimi i ulët ndaj orientimit seksual të Ambasadorit Grenell
- Thyerja e protokollit dhe dekonspirimi i Konferencës me dyer të mbyllura të Mynihut
- Spekulimi i qëllimshëm me denoncimin e një kinse marrëveshje tradhëtie të Kosovës me NATO-n
- Dëmtimi i marrëdhënieve me SHBA-të dhe refuzimi të komunikoj me zyrtarët e saj
- Letrat shpifëse ndaj oponentëve politikë tek Mike Pence dhe europarlamentarët
- Tendenca për ta përçarë komunitetin shqiptaro-amerikan
- Largimi i investimeve amerikane të mbi 1 miliardë dollarë për Kosovën e Re me humbjen e 2000 vendeve të reja të punës
- Sabotimi i përfaqësimit diplomatik të shtetit të Kosovës në Uashington duke larguar pothuaj të gjithë stafin diplomatik, pa asnjë arsye.
- Nxitja e përçarjees mes SHBA-ve dhe BE-së në raport me Kosovën
- Fushata e organizuar linçuese e militantëve të Vetëvendosjes ndaj Presidentit Trump dhe zyrtarëve të lartë amerikanë
- Mashtrimi me numrin e ministrive, nga premtimi për 13 u bënë 15
- Mashtrimi i diasporës duke eliminuar ministrinë e dedikuar për ta
- Lejimi i shtrirjes së gjendjes së jashtëzakonshme të Beogradit në veri të Kosovës
- Fshehja mashtruese e më pas arsyetimi i vendimit të strukturave paralele serbe për karantinimin e dy komunave të veriut
- Pranoi të bisedoj me Serbinë pa kushte, duke hequr dorë nga premtimi për kërkim falje e kthim të të zhdukurve
- Mashtrimi me reciprocitet ndaj Serbisë
- Manipulimi me të dhënat zyrtare për pandeminë duke mos raportuar të dhënat që i përkasin shtetasve kosovarë me kombësi serbe
- Lënia pas dore e shqiptarëve në veri në mëshirën e fatit
- Bashkëpunimi i ngushtë me institucionet serbe por dështoi me Shqipërinë
- Përgojimi i bisedave private me diplomatë e bartës institucionesh, si dhe dekonspirimi i bisedave sekrete duke kërkuar hapjen e transkripteve të Këshillit të Sigurisë gjë që përbën shkelje ligjore
- Mashtrimi me mosmbajtjen e premtimit për luftën ndaj oligarkëve sikurse e dëshmon rasti tani i vazhdimit të homologimit të veturave
- Nxjerrja abuzive e dokumenteve shtetërore nga Qeveria në mënyrë të dyshimtë pas orarit të punës
- Mashtrimi me retorikën e Bashkimit Kombëtar duke mos marrë asnjë veprim për forcimin e lidhjes me Shqipërinë dhe duke prishur marrëdhëniet me qeverinë Rama
- Emërimi zyrtar i këshilltarit serb që ka shprehur mbështetje publike për kriminelin Ratko Mlladiq
- Koalicioni i fshehtë dhe favorizues me Listën Serbe rezultoi në dyfishim të pozitave të larta shtetërore për ta
- Manipulimi me kinse uljen e numrit të zv/ministrave që mandej u kompensuan me rritjen enorme të numrit të këshilltarëve
- Ministri Reka propozoi përmbushjen e aspiratës strategjike 100 vjeçare të Serbisë për të siguruar dalje në det duke folur për korridorin drejt Adriatikut
- Kapja e shtetit nëpërmjet emërimeve të militantëve politikë nëpër borde
- Kryeministri Abazi i Vetëvendosjes është zyrtari i parë i lartë i Kosovës që pranon publikisht ndarjen e veriut
- Xhelal Sveçla i Vetëvendosjes privilegjon zyrtarët serb si Jabllanoviqi duke iu dhënë leje dhe diskriminon deputetët e Kuvendit të Kosovës
- Mosreagimi i Qeverisë pas shkeljes së sovranitetit të Kosovës në rastin e hyrjes së xhandarmërisë serbe në Karaqevë
- Dëmtimi i prodhimeve vendore duke hapur tregun e Kosovës ndaj mallrave serbe që bëjnë konkurrencë të pandershme
- Citimi dhe legjitimimi i Kushtetutës së Serbisë për çështje të brendshme të Kosovës
- Zgjedhja e kryetares së Kuvendit me një seancë klandestine ku u përjashtua opozita
- Mashtrimi me programin qeverisës i cili fillimisht u deklarua se është bërë brenda 48 orësh por që nuk u soll kurrë në Kuvend
- Miratimi në mënyrë klandestine i një buxheti të mangët ku nuk ishin parashikuar fonde për pandeminë
- Ndërprerja e projekteve strategjike me rëndësi shtetërore
- Emërimi si Zv/Kryeministër Haki Abazit, i cili ka pasur akuza për keqpërdrim fondesh
- Emërimi i shefit të stafit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipi i cili është ndjekur dhe përfolur për korrupsion
- Thirrje për vëllavrasje nga funksionarë të lartë të Vetëvendosjes
- Vendimi i paligjshëm i ministrit Besnik Bislimi që binte ndesh me kompetencat e Kuvendit dhe ligjet në fuqi
- Propozimi i një pakoje ekonomike që përveçse e vonuar dhe e paligjshme, është edhe e mangët, e pamjaftueshme dhe që diskriminon kategoritë që duhej mbështetur
- Vendimi i paligjshëm i Xhelal Sveclës për lëvizjen e lirë të deputetëve
- Vendimi i paligjshëm me Telekomin që shkon ndesh me parimet kushtetuese të konkurrencës së lirë
- Afera korruptive me kontrata të negociuara të bëra me kompani që kanë pasur lidhje me ministrin Vitia
- Afera e kontratës së KEK-ut, ku dyshohet se është bërë me mikun e ministres Rozeta Hajdari
- Dhënia e dyshimtë e kontratës së mësimit në distancë
- Vonesa me marrjen e masave të ndihmës ekonomike, duke rrezikuar bankrotin e kompanive private
- Favorizimi i bizneseve të Vetëvendosjes gjatë masave të pandemisë
- Vendimi i paligjshëm i ministrit Glauk Konjufca për të larguar ambasdorët e Kosovës nga shtetet më të rëndësishme
- Ministrja Albulena Haxhiu shpërdoron automjetin zyrtar për punë private-fëmijët në shkollë
- Ministrja e drejtësisë emëron në mënyrë të paligjshme si zyrtar ligjor militantin e LVV
- Turpërimi i Kosovës duke dërguar letra në Komisionin e Venecias që mandej e refuzuan
- Presioni ndaj Gjykatës Kushtetuese nëpërmjet letrës dhe video mesazhit të Kurtit
- Precedenti i mosrespektimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të datës
- Provokimi i qëllimshëm i prishjes së koalicionit në kohët e veshtira të pandemisë duke shkarkuar nënkryetarin e partisë aleate, Agim Veliun
- Reagimi i vonuar kundër koronavirusit krahasuar me vendet e tjera që kishin nisur më herët me masa
- Testimi abuziv për qeveritarët të cilët nuk përmbushnin kriteret për të cilat autorizohet testimi
- Xhelal Sveçla kërcënon deputetin dhe presidentin me arrestim e karantinim
- Shkarkimi i bordit të QSKUK në mes të pandemisë dhe zëvendësimi me militantë
- Mungesa e theksuar e testeve dhe testimeve në Kosovë
- Improvizimi me masa kaotike e jo praktike që ndryshoheshin brenda pak ditësh
- Neglizhenca e riatdhesimit duke braktisur mijëra qytetarë të bllokuar jashtë vendit
- Dështimi me menaxhimin e riatdhesimit e karantinimit duke favorizuar militantë partiakë dhe njerëz me lidhje që janë liruar para kohe
- Organizimi i dështuar i brendshëm i karantinës duke mos përmbushur kushtet minimale të nevojshme
- Mashtrimi me 7000 teste
- Dështimi me procesin e mësimit në distancë duke pranuar paushall rezultatet e para-pandemisë
- Fyerja e fëmijëve dhe të rinjve të Kosovës prej deputetit të LVV, Dimal Bashës
- Krijimi abuziv i fondit të donacioneve të diasporës dhe dështimi eklatant i kryeministrit Kurti
- Mashtrimi me rezervat e shtetit, ndërkohë që kjo Qeveri ka trashëguar mbi 470 milionë euro dhe borxhin publik më të ulët në rajon
- Shfrytëzimi abuziv i pandemisë duke transmetuar spote të ministrit Vitia gjatë orareve të transmetimit të programeve të shkollimit në distancë
- Thirrja e protestave nga militantë të LVV në kohë pandemie
- Ka mashtruar me uljen e pagave kur për këtë gjë pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me ligjin e miratuar në Kuvend
- Ka mashtruar duke e quajtur puç vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme ndërkohë që kjo gjë parashikohet nga Kushtetuta dhe u vendos nga 25 shtete evropiane
- Shpërfillja e profesionistëve dhe emërimi i militantëve partiakë në kabinete ministrore
- Joserioziteti i vendimit absurd të Qeverisë Kurti ku lejoi veprimtari ekonomike si mbarështimi i deveve dhe gamileve si dhe prodhimi i anijeve kozmike
- Linçimi i mediave dhe gazetarëve prej zyrtarëve të lartë të Qeverisë Kurti
- Polarizimi i jetës politike në Kosovë dhe rritja e gjuhës së urrejtjes brenda shoqërisë
- Këshilltari i Kurtit, Elvis Hoxha, legjitimion deklaratat anti-kosovare të analistëve serb dhe poshtëron Kuvendin e Kosovës duke i quajtur deputetët banditë
- Mashtrimi me demarkacionin duke mos ndërmarrë asnjë veprim për të ndryshuar marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi
- Qeveria Kurti shndërrohet në qeverinë më të izoluar që ka pasur Kosova duke mos u ftuar në asnjë vizitë bilaterale dhe as në ngjarje ndërkombëtare
- Mashtrimi me premtimet e mëparshme duke kapitulluar para serbëve nëpërmjet pagesës së 10 milionë eurove për rrymën ndaj serbëve të veriut
- Pretendimi se qeveria Kurti do vepronte kundër luksit ndërkohë që mbajti mbledhjen në hotelin luksoz të Sharrit dhe mbajti makinat luksoze të parardhësve
- Shkarkimi i zyrtarëve të lartë pa respektuar procedurat ligjore
- Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosjes mbështet qëndrimet dhe akuzat serbe për krime lufte të drejtuesve të UÇK-së
- Pranimi i 1000 testeve nga Serbia duke i dhënë mundësinë për rehabilitim ndërkombëtar; nga agresori në humanist
- Hapja e kufirit me Serbinë dhe mbyllja e atij me Shqipërinë
- Mashtrimi i ministrit Besnik Bislimit me uljen e papunësisë në 6,6% gjatë kohës së pandemisë
(B. D.: ‘Epoka e re’)