Siria ekzekuton 24 persona për zjarret vdekjeprurëse të vitit të kaluar

21 tetor 2021 | 16:13

Ministria e Drejtësisë e Sirisë tha se autoritetet e këtij vendi të enjten ekzekutuan 24 persona, pasi ishin akuzuar për zjarrvënie në natyrë vitin e kaluar, duke lënë tre të vrarë e mijëra hektarë pyje të djegura.

Ekzekutimi i njerëzve nga organet shtetërore është i zakonshëm në shtetin e rrënuar nga lufta e gjatë, por numri i të ekzekutuarve për një ditë të enjten ishte më i lartë se zakonisht, shkruan “Associated Press”.

Ministria e Drejtësisë të ekzekutuarit i ka quajtur “kriminelë që kryen sulme terroriste që çuan në vdekje e dëmtim të infrastrukturës e pronës publike”.

Po ashtu është njoftuar se 11 të tjerë janë dënuar me burgim të përjetshëm në rastin e njëjtë gjyqësor.

Ministria e Drejtësisë ka thënë se në fund të vitit të kaluar, autoritetet kanë ndaluar dhjetëra njerëz që janë rrëfyer për planet për vënie të zjarreve, duke filluar nga muaji gusht. Ata kishin ndezur zjarre në shtator që kishin prekur 280 qyteza dhe fshatra si dhe kishin dëmtuar 370 shtëpi.

Vendlindja e presidentit Bashar Al Assad, Qardaha, në provincën Latakia, ishte prekur rëndë nga zjarret, të cilat e kishin dëmtuar rëndë një ndërtesë të përdorur si magazinë për kompaninë shtetërore të duhanit, një pjesë e së cilës ishte shembur.

Vetë Assad kishte realizuar një vizitë të rrallë në atë rajon pak kohë pasi zjarri ishte vënë nën kontroll.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një nga transferimet më të bujshme të merkatos së verës…