Siria i kthen Francës çmimin e Legjionit të Nderit
20 prill 2018
| 10:26
Siria i ka kthyer Francës titullin e Legjionit të Nderit me të cilin ishte nderuar presidenti sirian, Bashar al-Assad.
Vendimi i Sirisë ka ardhur vetëm disa ditë pasi Parisi ka treguar se është duke punuar për tërheqjen e titullit.
“Presidenti sirian, Bashar al-Assad nuk ndihet i nderuar me një dekoratë të tillë nga një shtet që është skllav i Shteteve të Bashkuara që mbështet terroristët”, është thënë përmes një deklarate nga zyra e Assadit.
Ky vendim i zyrës së Assadit ka ardhur pasi Franca ka qenë pjesëmarrëse në sulmet e udhëhequra nga SHBA-ja që kanë pasur cak zonat qeveritare.
Ky sulm ka qenë përgjigje ndaj sulmit të dyshuar me armë kimike në Duma.
Çmimi është kthyer në Francë përmes ambasadës rumune në Damask.