Sistemi demokratik si pengesë për qeverinë Kurti 2
Shkruan: Hajdin Abazi
Duke i përcjellë zhvillimet dhe veprimet e pushtetarëve, si dhe duke e njohur qasjen e tillë teorikisht dhe praktikën e regjimeve komuniste, kam arritur në tezën, të cilën dëshiroj ta shtjellojë, se Albin Kurtit dhe Qeverisë së 2-të tij po ia zë udhën diçka e madhe, me të cilën ai ka hall dhe nuk po përpiqet ta akomodojë: sistemi demokratik i Kosovës, i cili i është kthyer në pengesë kryesore për të realizuar politikat konceptuale të A. Kurtit.
Është e vërtetë se sistemi demokratik në Kosovë është mjaft i brishtë, dhe lëngon jo pak, sidomos në aspektin e efikasitetit dhe dinamikës, por, në themel, ai është demokratik: pushtetet janë të ndara sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, dhe nuk lejohen interferimi. Pikërisht kjo ndarje e pushteteve, me autonomi secila dhe me mbështetje perëndimore për t’u konsoliduar edhe më mire në kuptimin e mosinterferimit, po e pengon KM Kurtin, pasi që konceptet e tija janë autoritare, sipas të cilave ai përkatësisht partia e tij duhet të kontrollojnë të tria pushtet. Ashtu sikurse unë i lexoj veprimet e Qeverisë Kurti 2, del se strategjia e Kurtit synon ta përmbysë de facto këtë ndarje pushtetesh në favor të ekzekutivit. Ai thirret në forcimin e shtetit të Kosovës, por në fakt veprimet e tij minojnë demokracinë nga brenda, duke e ruajtur si dekor e si kostum, por duke e kthyer funksionimin në një sistem autoritar, për agjendat e tij politikë enigmatike.
Për ta arritur këtë deformim të sistemit demokratik, Qeveria Kurti 2 po punon në tri objektiva, të cilat nuk janë të ndara e të shkëputura por të ndërthurura dhe në funksion të ndërsjellë.
Njëri objektiv është ai i “reformës” në përgjithësi, e në veçanti të “sistemit të drejtësisë”, për të cilin ka krijuar premisat propagandistike se “drejtësia është e kapur”, ani se BE-ja e kundërshtoi këtë duke theksuar se BE ka kontribuar në ngritjen e sistemit të drejtësisë në Kosovë. Nuk do mend se ka vend për përmirësim duke kërkuar efikasitet, profesionizëm dhe udhëheqje nga parimi i drejtësisë e i pa ndikueshmërisë, por jo për përmbysje tërësore. Mirëpo pikërisht një përmbysje e tillë i duhet KM Kurtit që të mund t’i vendosë njerëzit e tij, pra që ai ta kapë drejtësinë, që pastaj drejtësia të gjykojë me dioptrinë e Kurtit, e cila ndaj oponentëve politikë do të jetë drejtësi selektive dhe e anshme. Një drejtësi të këtillë e ka pasë Kosova në kohën e komunizmit, kur partia i përpilonte aktakuzat, e në realizimin e tyre angazhoheshin hetuesia (sigurimi i shtetit – UDB), policia, prokuroria dhe gjyqësori – këtë “drejtësi”, si dhjetëra mijëra të tjerë e kam përjetuar edhe unë në kurriz timin si njëzet vjeçar dhe e njoh mirë këtë logjikë të drejtësisë partiake, ndonëse ndaj dhe nxitem të reagojë sa nuk është implementuar se po ndodhi kjo – dëmi vetëm bëhet dhe do të jetë dëm i madh. Përndryshe, ligjet dhe gjyqësori edhe kështu si janë e kanë luftuar dhe vazhdojnë ta luftojnë krimin dhe për këtë ka dhe evidenca – gjithsesi ka hapësirë për dinamikë të shtuar veçse gjithnjë me kritere drejtësie, por organet e drejtësisë, natyrisht, kanë manifestuar aty-këtu fenomene korruptive dhe aty-këtu edhe kanë bërë veprime të ndikuara, të cilat duhet hetuar dhe marrë masa ndaj personave që kanë bërë shkelje – kjo ndodhë kudo në botën demokratike dhe kështu drejtësia atje avancohet vazhdimisht. Porse kur synohet të vihet gjyqësori nën kontroll të ekzekutivit, atëherë pasojat janë deformim, shtrembërim dhe stërkeqje e demokracisë, duke e kthyer atë në instrument të ekzekutivit.
Kjo mund të ilustrohet me deklaratën e ministrit Sveçla, lidhur me aksionin e Prokurorisë për arrestimin në Shterpcë e një rrjeti të organizuar nën dyshimin për vepra korruptive. Ministri i Brendshëm Sveçla bëri një reagim jo të hapur ndaj Petkovic dhe Vuciq por në mënyrë të nënkutpuar. Sigurisht, po të ishte vetëm ky aspekt, mund edhe të ishte në rregull. Porse ajo që ishte krejt tendencioze ishte fillimi i statusit të tij: “Ashtu siç jemi zotuar se do të luftojmë krimin në çdo cep të vendit, sot u zhvillua suksesshëm aksioni i Policisë së Kosovës ndaj krimeve me ndërtime…”. Kjo linte të nënkuptohej se akzioni ishte realizuar për të përmbushur zotimet politike të LVV, gjë që edhe nëse është synuar demantimi i P. Petkoviq dhe A. Vuçiq, në të vërtetë Sveçla edhe padashje dha mundësi që reagimi i tij të lexohet se aksioni ishte i motivuar politikisht. Në një kontekst të kvtillë, Prokuroria reagoi duke thënë se “Hetimi dhe ndjekja e rasteve penale nuk është punë e Ministrisë së Punëve të Brendshme e as e sektorëve tjerë qeveritar, por është kompetencë ekskluzive e Prokurorit të Shtetit.” si dhe se “Hetimet dhe rastet penale nuk kanë konotacion politik dhe nuk duhet të komentohen nga organet politike.”. Po ashtu Prokuroria theksoi se ky aksion ishte si rrjedhojë e një “pune dhe angazhimi disavjeçar i Prokurorisë i mbështetur nga organet e tjera ligjzbatuese”. – Asnjë qeveri vërtetë demokratike nuk do të tentonte të përvetësonte një veprim të prokurorisë sepse do ta dinte se ishte ndërhyrja në një pushtet tjetër, e kjo është shkelje kushtetuese. Për çudi, Ministrja e Drejtësisë i doli në mbrojtje ministrit Sveçla dhe hodhi akuza në drejtim të Prokurorisë duke tentuar sërish t’ia atribuojë meritat Qeverisë dhe jo Prokurorisë!
Objektivi i dytë është përsëri drejtësia. Ministraja e Drejtësisë tregoi se ka propozuar tashme projektligjin për themelimin e Byrosë Shtetërore për verifikimin e konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Në parim, unë pajtohem se duhet bërë verifikimi i pasurisë, me qëllim që kushdo që është pasuruar në mënyrë të paligjshme, duhet t’i konfiskohet ajo, si dhe të dënohet për shkak të inkriminimit. Në Kosovë ka njerëz që janë pasuar në menyrë të paligjshme (përmes korrupsionit, klientelizmit, kontrabandës, abuzimeve me privatizimin, nëntokës etj.). Qëllimi i një ndërmarrjeje të tillë duhet të jetë për të gjetur të inkriminuarit dhe ajo duhet bërë ndaj kujtdo që është involvuar në krim, prej të cilit është pasuruar. Për këtë duhet vepruar drejtësia, instrumentet e saj si prikuroria, hetuesia dhe gjyqësori. Nëse Qeveria Kurti 2 e ka vënë si objektiv të vetin këtë ndërmarrje me qëllim luftimin e krimit ekonomik, atëherë Ministrja e Drejtësisë do të mundte t’i kërkojë Prokurorisë që të formojë një task forcë, pra një instrument prokurorial, me detyra konkrete ndjekjen e krimit ekonomik dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Kështu, ndjekja e krimit ekonomik do të bëhej nga instrumentet e drejtësisë dhe sipas ligjeve në fuqi, që domethënë se do të ishte joselektive dhe jo e anshme. Parlamenti ka të drejtë të krijojë një Komision (sikurse, fjala vjen, gjatë gjysmës së dytë të vitit 2021 një Komision parlamentar i Australisë ka nisë t’i shqyrtojë disa afera korruptive të pushtetarëve në disa shtete federale) i cili do të mund t’i kontrollonte anëtarët e Parlamentit, të Qeverisë e të Presidencës e që gjetjet, do t’I përcilleshin drejtësisë. Në vend të kësaj, krijohet një instrument paralel i drejtësisë, gjë që drejtësinë e bën duale dhe e minon sistemin e drejtësisë, i cili ka nevojë të forcohet e përmirësohet por jo të suprimohet. Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës legjitim për një jetim qytetar janë vetëm organet e drejtvsisë dhe mekanizmat e zbatimit të ligjit. Nëse Byroja Shtetvrore krijohet, nga kush do të mbikëqyret, nga kush do të kontrollohet, kush do ta bëjë vlerësimin, kujt kanë të drejtë t’u ankohen etj., etj. lindin shumë dilemma e dyshime të bazuara.
Në sistemin demokratik, gjithçka duhet të shkojë përmes organeve të drejtësisë, e nisur prej saj, e zhvilluar përmes instrumenteve të saja, e gjykuar në një gjyq të paanshëm e me drejtësi joselektive, dhe pikërisht kjo është ajo që e dallon demokracinë nga sistemet tjera totalitare, autoritare, moniste, autokratike e diktatoriale. Nëse i krijohet paralelizëm dhe nëse suprimohet drejtësia, ashtu sikurse duket se do të ndodhë me Byronë Shtetërore, atëherë veprimet e saj ka rrezik të jenë qasje selektive, motivet partiake, inatet e hakmarrja.
Objektivi i tretë i qeverisë Kurti 2, kapja e agjencioneve të pavarura dhe institucioneve të shtetit demokratik të Republikës së Kosovës. Kjo po bëhet përmes kontrabandimit dhe infiltrimit të njerëzve të caktuar, të cilët ose janë partiakë të hapur, ose lehtë të shantazhueshëm ose janë aq karrieristë sa vetvetiu janë të ekspozuar për të vepruar sipas direktivave (jo zyrtare) të atyre që i vendosin në ato poste. Vetëm aty ku janë njerëzit e A. Kurtit nuk ka çka te thuhet se gjithçka është OK edhe kur në fakt është krejt e kundërta, sikurse menaxhimi katastrofal i pandemisë në verën e vitit 2021 nga ish-ministri i shëndetësisë A. Vitia, i cili jo vetëm nuk u kritikua nga askush prej qeverisë po madje u quajt iu thurën elozhe nga ministrja e jashtme D.G. Schwarz dhe kryeminstri A. Kurti; edhe tash, fjala vjen, me katastrofën energjetike – ndonëse ishte paralajmëruar kriza disa muaj më parë, Qeveria Kurti 2 nuk kishte vepruar, si për të krijuar një kontekst ku qytetarëve t’u thuhej se ky terr është nga qeveritë e kaluara: gjithsesi, problemi energjetik është i trashëguar, por një qeveri e suksesshme është që të veprojë në mënyrë preventive e jo pas 10 viteve të rikthehet terri në Kosovë dhe në vend se të kërkohet falje, bëhet tallje me qytetarë duke ju thënë ndalni mos i lini “joystickat e Playstation” të kyçur, çkyçni ngrohjet elektrike, të ngrohen me batanije etj. e madje mungesën e energjisë elektrike duke e quajtur edhe zhvillim ekonomik! Mjaftojnë këto raste për të kuptuar mentalitetin autoritar, sipas të cilit qeveria është e pagabueshme dhe se faji është dikund tjetër, kudo, por aspak te qeveria Kurti 2. Kur një qeveri tregohet e paaftë të gjejë zgjidhje për popullin në këtë dimër dhe të vetmen zgjidhje që ju ofron janë batanijet dhe të mos nxehen me rrymë, si dhe duke mbajtur ders se në botë ka energji alternative – pa pasur vet as dhe një projekt të vetëm energjetik qoftë ajo solare, hidro apo tjetër. Nuk është mirë me u tall me qytetarët kur ata janë në nevojë, por duhet gjetur zgjidhje për të kryer detyrën. Ndryshe, ky është dështim i qeverisjes. – Shtoji kësaj edhe sulmin e Kurtit ndaj drejtuesve të sindikatave, që ishte një propagandë për të goditur sindikatat (edhe ashtu mjaft joaktive) dhe me synim për të diktuar udheheqës të tjerë të tyre, sigurisht me ngjyrime partiake të Kurtit, është jo vetëm cenin i pavarësisë së sindikatave të cilat në tërë botën demokratike janë opozitë e qeverive dhe vetëm në vendet ku janë partitë të shkrira në pushtet sindikatat janë leva të partisë, sepse janë të instrumentalizuara (por edhe ato, sikurse dëshmon rasti i Polonisë, sapo t’u jepet shansi dalin kundër një qeverie që i ka instrumentalizuar dhe abuzuar), por njëkohësisht nxjerrin në shesh aspiratën për t’i kapur, kontrolluar e instrumentalizuar sindikatat.
Duke u përqëndruar në këto tri objektiva me sa duket substanciale për Qeverinë Kurti 2 është tjetërsimi i sistemit demokratik, kapja e shtetit në segmentet kryesore dhe partizimi i pushtetit, krejt kjo për qëllime politike të drejtuara kundër atyre që nuk pajtohen me vizionin e A. Kurtit, ka bërë që kjo qeveri t’i neglizhojë problemet reale të qytetarëve, ashtu sikurse bëri gjatë verës me pandeminë, sikurse bën edhe me arsimin, me bizneset, shëndetësinë e tash së fundi edhe me energjinë. Ajo po mendon se i mjafton propaganda e LVV që t’i iluzionojë qytetarët sa të mos e dallojnë të keqen, sa t’i besojnë fjalët e të mos i shohin defektet dhe mosefikasitetin, gabimet e fenomenet negative; kjo mundet të ndodhë, porse përkohësisht, sepse gradualisht do të preken edhe ata që ende besojnë te A.Kurti dhe dështimet do t’i bëjnë ta shohin realitetin që nuk është sikurse u thuhet, biles dikur nuk ngushëllohen më me gjetjen e fajtorëve te të tjerët, sepse duan të shohin përmirësime e jo më fjalë. Propaganda ka efekt, gjithsesi, por realitetin ajo nuk mundet ta përmirësoje, vetëm përpiqet t’i bindë se “mirë jeni edhe kështu” dhe se suhet duruar – ama pa treguar sa dhe cilat janë perspektivat pra kur pritet dhe si të bëhet më mirë.
Nëse Qeveria Kurti 2 do të vazhdojë ta prioritojë kapjen e segmenteve të shtetit e të mos merret me problemet reale të qytetarëve, të bizneseve, të shëndetësisë, të arsimit etj. atëherë gjendja do të shkojë duke u pêrkeqësuar dhe këtë do ta ndjejnë në ekonominë e tyre familjare qytetarët e kjo do t’i bëjë të ndryshojnë perceptimet, bindjet dhe vlerësimet. Se mashtrimet, dokrrat e veprimet “thuaj ndryshe e vepro ndryshe” nuk kryejnë punë kur je në pushtet, A. Kurtit i kanë treguar zgjedhjet lokale të 17 tetorit 2021. Ajo që do të duhej të bënte Qeveria Kurti 2 është heqja dorë nga tjetërsimi i sistemit demokratik dhe në vend të kesaj të veprojë për ta forcuar atë – sepse kështu do të jetë më mirë për të gjithë, të bëjë strategji qeveritare për zhvillim dhe zgjidhje problemesh preokupuese, si dhe ta rikthejë Kosovën në kursin e SHBA-ve dhe të bashkërendohet me Shtëpinë e Bardhë në gjeopolitikë globale dhe gjeostrategji rajonale. Kosova e as A.Kurti nuk ka as kapacitetin intelektual, as politik, as ushtarak e as ekonomik që të mund t’i ofrojmë ekspertizë SHBA-ve, nuk mundemi ne ta ndryshojmë rendin demomratik. Nëse nuk I bën këto, po përkundrazi do të vazhdojë KM Kurti të veprojë në minimin e sistemit demokratik, atëherë ai tregohet jo aventurier politik por edhe burrështetar donkishtesk! Kjo, në këto kushte e rrethana, do të ishte tragjike.