Sistemi i drejtësisë së korruptuar sfidon më së shumti bizneset
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka thënë se qeveria aktuale duhet ta ketë prioritet zhvillimin ekonomik, edukimin dhe sundimit e rendit dhe ligjit.
Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se Kosova vuan nga sistemi i korruptuar ekonomik. Sipas tij, kjo po shkakton ngecje të zhvillimit ekonomik duke i dëmtuar më së shumti bizneset
“Epoka e re”: Z. Gërxhaliu, cilat duhet të jenë tri prioritetet ekonomike për vitin 2018 që duhet t’i ketë parasysh Qeveria e Kosovës?
Gërxhaliu: Në një shtet ku dominion agjenda politike dhe ndodhin revolucione me shumë të papritura sesa të pritura, është vështirë të flitet për ekonomi dhe procese ekonomike. Në këtë drejtim, nga pozita e kryetarit të OEK-ut, besoj se qeveria duhet t’i ketë këto prioritete: ekonominë, edukimin dhe sundimin e rendit dhe ligjit. Nëse do të bëjmë më tepër në aspektin e sundimit të rendit dhe ligjit, ne s’mund të flasim për zhvillim ekonomik. Nuk mund të ketë zhvillim ekonomik pa një popullatë të edukuar. Ekziston një teori e cila thotë: ‘një popull i edukuar është shumë lehtë për t’u menaxhuar, por është shumë vështirë për t’u okupuar’. Prandaj ka kaluar koha kur njerëzit kanë menduar se pasuria e një shteti janë pasuritë natyrore. Sot pasuri natyrore është faktori njeri, mbi të gjitha. Institucionet duhet t’i kushtojnë rëndësi më të madhe kthimit të besimit në edukim dhe të prodhojnë kuadro kualitative, jo vetëm kuantitative.
“Epoka e re”: Në vitin 2018 për gjyqësor janë ndarë mjete për më shumë se 300 pozita. A jeni optimist se do të shënohet progres në këtë drejtim?
Gërxhaliu: Me gëzon fakti se në parashikimet buxhetore për vitin 2018 kapitull i veçantë i është kushtuar sundimit të rendit dhe ligjit. Unë nuk e kam frikën e individit të korruptuar, sepse Kosova po vuan nga sistemi i drejtësisë së korruptuar. Të gjithë mund të flasim për probleme të shumta që na shfaqen për të bërë biznes në Kosovë dhe për të jetuar, por emëruesi i përbashkët është sundimi i rendit dhe ligjit. Në Kosovë flitet shumë për krizë ekonomike dhe ky është realitet. Por, gjithashtu, është shumë e rëndësishme të kemi një sistem ligjor në funksion të integrimit, mbi të gjitha të përmirësimit të imazhit të Kosovës.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)