Sistemi prokurorial kërkon që Kosova të bëhet vëzhguese e përhershme në EUROJUST
Përfaqësuesit e sistemit prokurorial të Kosovës kanë kërkuar që Kosova të jetë vëzhguese e përhershme në Agjencinë e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale-EUROJUST.
Kjo gjatë një takimi ndërmjet presidentit të EUROJUST-it, Ladislav Hamran me u.d. kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, dhe prokuroren e PSRK-së, Ilirjana Çollaku – Tafa.
“Temë qendrore e takimit ndërmjet përfaqësuesve të institucionit të Prokurorit të Shtetit me Presidentin Hamran ishte avancimi i bashkëpunimit dypalësh, konkretisht nevoja e pranisë së Kosovës si vëzhguese e përhershme në EUROJUST, që u vlerësua si hap esencial për forcimin e bashkëpunimit të ndërsjellë”, është thënë në komunikatën e sistemit prokurorial.
Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka theksuar vendosmërinë e luftimit të të gjitha formave të krimit, me ç’rast ka shprehur gatishmërinë që ky bashkëpunim të thellohet në të ardhmen.
“Ndërkaq, kreprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka folur për veprimet që PSRK i ka ndërmarrë në intensifikimin dhe avancimin e bashkëpunimit me EUROJUST-in, si dhe ka potencuar se PSRK do t’i përgjigjet në kohë dhe në mënyrë efektive të gjitha kërkesave dhe obligimeve që adresohen nga EUROJUST-i”, është thënë në këtë komunikatë.