Sistemi TIMS në kaos, të kërkuarit në ‘festë’
Ndërsa autoritetet thonë se sistemi TIMS është kthyer në pikat kufitare, një verifikim i Top Channel zbulon se në fakt sistemi nuk është kthyer. Komisariatet nuk mund të ofrojnë shërbime, ndërsa në pikat kufitare, duke nisur nga Rinasi, policët vetëm fotografojnë pasaportat.
Gazetarja Dorjana Bezat tha se pas interesimit në komisariate, në drejtori vendore, po ashtu edhe në pika të ndryshme të kalimit kufitar në vend, ka rezultuar se pavarësisht nga sa njoftohet sistemi TIMS nuk është vënë në funksionim.
Bezat tha në një raportim për Top Channel se në komisariate efektivëve, iu është dhënë një urdhër i brendshëm për të mos i ndezur kompjuterët dhe për të mos i lidhur ato me internet. Gjithë veprimtaria e policisë do të jetë vetëm me shkrim, shkresa me dorë dhe asnjë shkrim me kompjuter. Një fenomen i tillë ka sjellë anomali në punën e policisë, sidomos në rastet kur kemi të bëjmë me persona të shpallur në kërkim, ku policia e ka thuajse të pamundur të identifikojë nëse një person është në kërkim. E njëjta problematikë shfaqet edhe për verifikimin e pasaportave.
Një tjetër anomali që prek direkt qytetarët është edhe pagesa e gjobave të ndryshme të vendosura nga policia, pasi prej të premtes hedhja e tyre online ka qenë e pamundur.
Në mungesë të TIMS, policia i është rikthyer verifikimit të listave shkresore për shtetasit në kërkim, qofshin këta shqiptarë apo të huaj, por në ditët e një fluksi të lartë hyrje daljesh në kufi, gjithçka vështirësohet.
Kujtojmë, se një ditë më parë, një i kërkuar i policia u arrestuar në tentativë për të lënë vendin.