Situata e pandemisë në Kosovë është nën kontroll
Infektologu Ilir Tolaj ka thënë se është kundër mbylljes totale pasi, sipas tij, do të ketë pasojë të rënda në ekonomi, arsim dhe shëndetin mendor të qytetarëve. Sipas tij, situata me pandeminë është nën kontroll dhe nuk duhet të veprohet me panik.
“Unë në parim jam kundër mbylljeve, meqenëse masat restriktive nuk tregojnë një efikasitet të shumtë. Në veçanti tash në valën e dytë i kemi shembujt e vendeve të rajonit të cilat kanë pasur një sistem edhe të aplikimit edhe të mbikëqyrjes së masave siç janë Sllovenia, Kroacia po edhe Maqedonia të cilat sërish po ballafaqohen me një numër të lartë të rasteve. Ndërsa sa i përket Kosovës situata është relativisht nën kontroll dhe numri nuk është aq i lartë dhe në përgjithësi nuk ka qenë i lartë. Mendoj se nuk duhet të bëhet panik me masa përtej qëllimit meqenëse masat restriktive nuk mund ta ndërpresin në tërësi pandeminë, por qëllimi i tyre është ta ulin numrin e tyre”, ka thënë Tolaj për EO.