Situata e sigurisë vlerësohet e qetë në Rahovec

20 nëntor 2019 | 15:08

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) në Komunën e Rahovecit, të mërkurën ka mbajtur mbledhjen e rregullt, të cilën e ka kryesuar kryetari Smajl Latifi.

Në këtë mbledhje u tha se gjendja e sigurisë është e qetë, stabile dhe e qëndrueshme në gjithë territorin e komunës.

Latifi në hapje të mbledhjes ka informuar anëtarët dhe monitoruesit e KKSB-së siç janë OSCE-së dhe LMT-së në Rahovec, se nga zyrtarët përgjegjës për sigurinë në gjithë territorin e komunës, situata është e qetë stabile dhe e qëndrueshme.

“Nëse anëtarët e KKSB-së më drejtohen me kërkesë që t’ju revokohet leja e punës për lokalet që gjatë natës e prishin rendin dhe qetësinë publike, do të bëjë një gjë të tillë dhe krejt kjo do të bëhet duke u bazuar në ligjet që janë në fuqi. Në të ardhmen do të rritet roli i anëtarëve të KKSB-së, në mënyrë që ndikohet në rritjen e sigurisë publike në Komunën e Rahovecit”, ka thënë Latifi, duke shtuar se komuna që drejton është përgatitur për sezonin dimëror.

Fazli Morina, komandant i Stacionit të Policisë në Rahovec, ka folur për situatën e sigurisë në përgjithësi për muajt shtator-tetor 2019, duke thënë se situata e sigurisë në përgjithësi është e qetë dhe stabile, por që ka kërkuar bashkëpunim me të madhe me qytetarët.

“Situata e sigurisë në territorin e Komunës së Rahovecit për periudhën kohore dy mujore shtator-tetor 2019, ka qenë e qetë dhe stabile, gjatë kësaj kohe janë regjistruar gjithsejtë: 100 raste, prej tyre 81 vepra penale, 19 incidente të ndryshme. Nga këto mund të veçojmë disa vepra të rënda: Lëndime të rënda 2 raste, vjedhje 14 raste, vjedhje të rënda 11 raste dhe 7 raste janë dhunë në familje. Policia e Kosovës, në vazhdimësi është përkushtuar lidhur me sigurinë në shkolla, lidhur me këtë është implementuar Plani Operativ në vazhdimësi ‘Siguria në shkolla’, duke patrulluar në afërsi të objekteve të shkollave me automjete zyrtare, duke angazhuar zyrtar në rroba civile, mbahen takime dhe kontakte të vazhdueshme me drejtorët dhe zyrtarët tjerë të shkollave përkatëse”, ka thënë ndër të tjera në raportin e tij komandanti Morina.

Në fund të mbledhjes është aprovuar Plani i Punës së Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi për vitin 2020, në kuadër të këtij plani janë paraparë të mbahen gjashtë mbledhje.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rosat në një fermë të vogël franceze mund të vazhdojnë…